Berisha: Terrorizmi, gati të ndihmojmë CIA-n
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i bën të qartë CIA-s dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara se ai është i gatshëm të bëjë çfarë mundet për t‘i ndihmuar në luftën kundër terrorizmit. "Ne kemi pasur dhe sërish kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me CIA-n, dhe do vazhdojmë ta kemi këtë", thotë Sali Berisha në një intervistë për gazetën amerikane "The Washington Times" javën e shkuar. Ai përcaktoi, gjithsesi, se vendi i tij asnjëherë nuk ka strehuar të burgosurit sekretë të CIA-as, apo t‘u ketë kërkuar forcave të sigurisë të asistojnë në tortura. Zoti Berisha ishte më pak i qartë sa i takon rasteve kur SHBA ka kapur të dyshuarit për terroristë në vende të huaja dhe i ka nisur ata me linjë ajrore drejt burgjeve në vende të tjera ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jashtë procedurave të ekstradimit. Ai tha se ka lejuar fluturimet e CIA-s në vendin e tij, por më pas tha se CIA nuk kishte kërkuar leje. Më pas, theksoi se nuk mbante mend se çfarë fluturimesh kishte lejuar të kryheshin prej CIA-s nga Shqipëria që kur mori detyrën e Kryeministrit në korrikun e vitit 2005 dhe gjatë viteve kur ai ishte President, 1992-1997. "Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë, që prej fillimit", tha ai. "Bashkëpunimi i Shqipërisë me CIA-n kundër terrorizmit është një prej më të frytshmëve". Komentet e zotit Berisha vijnë pas kërkesave të grupeve të të drejtave të njeriut në vendin e tij, që qeveria të tregojë nivelin e bashkëpunimit me CIA-n. Një grup i quajtur Qendra për Zhvillim dhe Demokraci në Shqipëri ka ngritur një padi civile kundër Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, teksa e akuzon se një i dyshuar për terrorizëm, Khaled El-Masri, është transportuar me avion nga aeroporti ushtarak i Kuçovës në Afganistan, ku ai thotë se më vonë është torturuar. Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Aleksandër Sallabanda, nuk dha komente për këtë rast, teksa u pyet të mërkurën. Shqipëria, një satelit i Kinës gjatë Luftës së Ftohtë dhe një vend me shumicë myslimane, mendohet të jetë gjithashtu një nga vendet me të cilat qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bashkëpunoi në vitet e para të Presidencës "Klinton" sa i takon programit kundër "Al Kaedës". Raporti i "Human Rights Watch", i cili analizon periudhën e Presidencës së Bill Klinton dhe atë të Xhorxh Bush, thotë se "në vitin 1998, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u vu në gjurmët e një grupi të dyshuarish që jetonin në Tiranë, në Shqipëri. Shërbimi Sekret shqiptar, në bashkëpunim me CIA-n, vëzhguan grupin për disa vite dhe vunë re se ata merreshin me aktivitete të një niveli të ulët kriminal, siç ishin ato të falsifikimit të pasaportave dhe vizave. "Anëtarë të celulës në kryeqytetin e Shqipërisë u dërguan në një burg të sigurisë së lartë të Egjipt, ku të gjithë të dyshuarit u torturuan", thotë avokati ligjor i katër prej personave, Muntassir Al-Sayyat, në një intervistë muajin e shkuar në "The Washington Times". "Vazhdimisht, Shqipëria ka bashkëpunuar me CIA-n për të vënë re gjithë të dyshuarit, t‘i transportojnë ata nga toka shqiptare drejt Egjiptit, ku janë torturuar", thotë Jonne Mariner, drejtor i antiterrorizmit në "Human Rights Watch". Zoti Berisha tha se agjencia "asnjëherë nuk ka pyetur për operacionet që nuk janë legale". Ai tha se i konsideron fluturimet e CIA-s një kërkesë legale nga një organizatë legale. Zoti Berisha, ishte në Uashington javën e shkuar, si pjesëmarrës në mëngjesin e lutjeve. Gjatë qëndrimit të tij, ai u takua me sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton, dhe zëvendëspresidentin, Jhozeph Biden, në përpjekje për të diskutuar për rrugën e vendit të tij drejt NATO-s.