E Diel, 1 Nëntor 2026

Tavo: Athina zyrtare i la "lakuriq" PBDNJ dhe OMONIA-n

Deputeti socialist nga minoriteti etnik grek, Vangjel Tavo, gjatë një konference për shtyp ka përshëndetur dje ratifikimin e marrëveshjes së MSA-së nga Greqia, duke sulmuar njëkohësisht organizatën e grekëve të Shqipërisë, OMONIA-n dhe PBDNJ-në që pretendojnë sipas tij se kanë ekskluzivitetin e përfaqësimit të minoritetit grek në politikën shqiptare dhe në arenën ndërkombëtare. "Ratifikimi i marrëveshjes pothuajse në unanimitet nga tempulli i demokracisë në Greqi, zhveshi lakuriq të gjithë ata që predikonin se kishin ekskluzivitetin e përfaqësimit tonë tek Athina zyrtare, e cila nga ana e saj veproi të kundërtën e kërkesave të të ashtuquajturit ekspertë të nacionalizmit të sëmurë", theksoi Tavo. Ratifikimi i marrëveshjes nga katër partitë parlamentare greke, vazhdoi ai, neutralizoi shakatë pa kripë të Bollanos dhe të atyre që i japin mburojë, sikurse është udhëheqja politike e PBDNJ-së. "Në fakt Bollano, Dule dhe Ksera me shokë, e kanë një ekskluzivitet, ata janë vegla në duart e Sali Berishës dhe përdoren si bomba tymuese për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga problemet e ditës dhe për të mbuluar dështimin e qeverisjes nga Partia Demokratike", nënvizoi deputeti socialist nga Dropulli, Vangjel Tavo. Duke përfunduar, Tavo nënvizoi se "Këta lloj tipash përdoren për interesat e tyre të ndërsjella dhe të ngushta politike dhe ekonomike. Prandaj një Shqipëri evropiane kërkon dhe një fryme të re, mentalitet të ri, një qeverisje të re dhe kjo do të bëhet e mundshme nga fitorja e padiskutueshme e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009"


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›