Baraj: “TVSH-ja, e kapur nga prapambetja dhe paaftësia”
Kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Besnik Baraj, ka reaguar ndaj Televizionit Publik Shqiptar, i cili kishte replikuar me kryetarin e PS-së Edi Rama, pas shqetësimeve të shprehura prej tij në lidhje me abuzivizmin e pushtetarëve me këtë televizion. Baraj tha se një televizion publik demokrat nuk duhet të bëjë deklarata replikuese me opozitën. “Replika e djeshme e TVSH-së me Partinë Socialiste ishte një shprehje tipike e prapambetjes së thellë të atij institucioni dhe e paaftësisë për të bërë tjetër gjë, përveç veglës qorre të pushtetit të radhës”, - tha Baraj. Në emër të PS-së, ai i bëri thirrje drejtorit të Përgjithshëm të TVSH-së të reflektojë mbi këndvështrimin dhe gjuhën e përdorur në ekranin publik gjatë edicioneve informative sipas stilit sovjetik. “Duke qenë të bindur se jemi jo vetëm në të drejtën tonë, por në krye të detyrës sonë ndaj të drejtës së dhunuar të publikut për informim nga ana e Televizionit Publik Shqiptar, i bëjmë thirrje drejtorit të Përgjithshëm të TVSH-së të reflektojë seriozisht mbi këndvështrimin dhe gjuhën e përdorur në ekranin publik gjatë edicioneve skandaloze informative që ngjajnë si pamje të ngjyrosura të revistave televizive sovjetike”, - tha Baraj.
Rama: “Vendi, në moment historik”
Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka deklaruar se vendi ndodhet në momente historike dhe se Shqipërinë tashmë e ndajnë vetëm 155 ditë nga fillimi i një rruge të re, e cila do të jetë shumë më ndryshe nga rruga e politikës së vjetër dhe e keqqeverisjes së kryeministrit Sali Berisha. Këtë deklaratë, Rama e bëri gjatë ditës së djeshme, në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, ku ai ndodhej me rastin e realizimit të fushatës “Një qytetar, një pemë”, nismë kjo e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Edi Rama vlerësoi se mbjellja e pemëve shënon një hap pozitiv në të ardhmen e Tiranës.
26 Janar 2009