E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konventa e G99-s: Në Shqipëri, jeta e qytetarëve është e pasigurt dhe e pambrojtur



Lëvizja G99 ka zhvilluar dje konventën “Për sigurinë e jetës” ku ka paraqitur platformën e saj për sigurinë e jetës së qytetarëve, të hartuar nga ekspertë të fushave të ndryshme, të gjithë pjesë e G99-s, si Albert Dervishi, Eduard Hashorva, Milva Ekonomi, Arbi Mazniku, Jetona Myteveli dhe Maklen Misha. Platforma përmban jo vetëm faktet dhe shifrat e aktualitetit në Shqipëri, por edhe sugjerime konkrete dhe zgjidhje specifike për të përmirësuar sigurinë e jetës së qytetarëve shqiptarë. Kjo konventë, e para e këtij lloji në Shqipëri, është fokusuar në 6 fusha kryesore: rendi, shëndetësia, mbrojtja sociale, mjedisi, siguria ushqimore dhe transporti. Në fjalën e tij, kreu i G99-s, Erion Veliaj, tha se gjatë vitit 2008 Shqipëria pati një numër të konsiderueshëm viktimash, duke renditur ngjarjet tragjike të Farkës, Gërdecit, Bulqizës, Gjirokastrës etj. Veliaj tha se Shqipëria nuk mund të vazhdojë më të jetë një vend me bilanc lufte. Ai u tha të pranishmëve në takim se koha e ndryshimit po vjen dhe se Shqipëria shumë shpejt do të hyjë në një rrugë të re, që do të garantojë në radhë të parë jetën e qytetarëve. Veliaj theksoi se platforma e paraqitur nga G99 do të përmirësojë sigurinë e jetës së shqiptarëve. “Ky është momenti për të lënë mënjanë grindjet politike e për t’u bashkuar në mbrojtje të asaj që kemi më të vyer në këtë botë, jetës. Platforma që ne propozojmë parashikon një rrugë të vështirë e të gjatë, por që në një moment duhet të nisë. Dhe kjo rrugë fillon sot. Çdo udhëtim, sado i gjatë qoftë, nis me hapin e parë. Sot ne kemi hedhur hapin e parë në drejtim të mbrojtjes së jetës. Por ky s’mund të jetë një udhëtim solo. Ne kemi vendosur të jetojmë këtu, nuk kemi një Shqipëri tjetër. Ndaj ëndrrat e zellin për ndryshim do të duhet t’i realizojmë këtu. Puna fillon sot, tani, me bindjen e thellë se vetëm po të jemi bashkë mund t’ia dalim”, - tha Veliaj.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›