E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Vendi në kaos legjislativ nga ligjet që miratoi qeverisja e Berishës

Kreu i Komisionit të Ligjeve në PS: Vendimet e qeverisë, të pavlefshme juridikisht. Manjani: “Ligjet antikushtetuese të maxhorancës sollën një sërë pasojash të dëmshme”

Shaban Sulçe

Partia Socialiste akuzon maxhorancën aktuale se gjatë tre viteve të qeverisjes së saj ka hartuar legjislacion me përmbajtje antidemokratike, antikushtetuese dhe pa fuqi juridike. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, tha se si rezultat i miratimit të këtyre ligjeve antikushtetuese të maxhorancës, vendi është në kaos kushtetues. Manjani akuzoi kryeministrin Berisha si dhunuesin më të madh të Kushtetutës në vend. “Sali Berisha dhe qeverisja e tij kanë prodhuar legjislacion antikushtetues me shumicë. Që nga ligji për KLD-në e deri te ligji i dosjeve, Sali Berisha është rekorduar në memorien e këtij shteti si dhunuesi më i madh i Kushtetutës në vend. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një pjesë të mirë të këtyre ligjeve, disa të tjera janë në proces. Jemi të shqetësuar për një seri VKM dhe aktesh nënligjore të qeverisë që vazhdojnë të jenë në fuqi megjithëse shkelin Kushtetutën dhe ligjet”, - tha Manjani.

Ligjet
Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, renditi një sërë akuzash ndaj kryeministrit Berisha dhe qeverisjes së tij. Manjani tha se si rezultat i ligjeve antidemokratike të miratuara nga maxhoranca, shqiptarët u përjashtuan dhunshëm nga e drejta për të marrë pjesë në vendimmarrjen e shtetit. Manjani tha se legjislacioni i miratuar gjatë këtyre tre viteve nga maxhoranca nuk shuajti asnjë konflikt social, por përkundrazi thelloi pabarazinë sociale dhe tensione të reja, ku ai mori si shembull përplasjet ndërmjet pronarëve dhe të legalizuarve. Ai tha se kryeministri Berisha hartoi e miratoi legjislacion në mënyrë diletante dhe shumë larg standardeve profesionale, duke iu referuar ndryshimit të vazhdueshëm të ligjeve dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave. Më tej, Manjani akuzoi kryeministrin Berisha se ka miratuar ligje në funksion të interesave të tij korruptive. “Sali Berisha dhe qeverisja e tij nuk arriti të harmonizojë me standardet e acquis communitaires asnjë ligj të zbatuar. Ai përshtati legjislacionin vetëm me interesat e korrupsionit dhe të grupimeve monopol të lidhura me to. Ligjet e Gërdecit dhe ato të monopoleve në ekonomi ( më së fundi edhe në sektorin e naftës) e tregojnë me së miri këtë gjë”, - vijoi kreu i Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste. Manjani dënoi gjithashtu anashkalimin në shumë raste që Berisha i ka bërë Kuvendit dhe gjykatave, ndërkohë që theksoi se ligjet e miratuara nga qeveria janë të pavlefshme juridikisht.

Përgjegjësia
Manjani tha se si rezultat i këtyre dështimeve të qeverisë në miratimin e ligjeve, edhe zbatimi i tyre mbetet në nivelet më të ulëta. Ai theksoi se qeveria “Berisha” i ka shndërruar ligjet në një instrument për kërcënimin e njerëzve të ndershëm dhe për mbrojtjen e hajdutëve qeveritarë. “Pa asnjë mëdyshje, përgjegjësi kryesor për këtë situatë është Sali Berisha dhe qeverisja e tij, që është më e keqja e mundshme që kanë pasur ndonjëherë shqiptarët. Korrupsioni, monopolet, tragjeditë, varfëria, rrënimi ekonomik në të cilin po kalon vendi ynë kanë ardhur nga kjo keqqeverisje që është përpjekur të legjitimojë veten me legjislacionin më të keq të mundshëm”, - tha Manjani. Ai theksoi se Partia Socialiste ka monitoruar ligjet në fjalë dhe ka përgatitur projektin e saj të kthimit të vendit në normalitet kushtetues e legjislativ.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›