E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barak Obama: Ta ribejme Ameriken

Barak Obama u betua dje si Presidenti
i parë me ngjyrë i Shteteve të
Bashkuara, duke shkruar historinë
përpara një "deti" njerëzish që kishin
ardhur për të asistuar në momentin e
famshëm të betimit presidencial. Njerëzit
kanë përcjellë Obamën në rrugëtimin e tij
nga Shtëpia e Bardhë drejt Kapitol Hil dhe
e kanë ndjekur ndërsa vinte dorën mbi
Biblën mbi të cilën u betua edhe Abraham
Linkolni në vitin 1961. Me dorë mbi Bibël
ai përsëriti betimin e shkurtër që e shndërroi
në Presidentin e 44 të vendit të tij,
në një periudhë shumë të vështirë. Obama
është shndërruar tashmë në një simbol të
shndërrimit dhe ndryshimit të fitores së
afro-amerikanëve që për breza të tërë kanë
vuajtur në skllavëri dhe më pas në segregacion
racial, duke pasur gjithmonë statusin
e qytetarit të dorës së dytë. Plot dritë e gjithë
buzëqeshje Obama, tashmë President
i ri, pas betimit ka puthur të shoqen dhe
vajzat dhe më pas u është drejtuar njerëzve
për të mbajtur fjalimin e shumëpritur, të
parin në cilësinë e Presidentit para kombit.
Përmes tij ai ka evokuar vlerat më të mira
të brazave që bënë Amerikën dhe vlerat
njerëzore të njerëzve që do ta ribëjnë
vendin. Inaugurimi është zhvilluar nën
masa të rrepta sigurie. Rreth 8000 forca
policie u vendosën në zonat ku u zhvillua
ceremonia, ndërkohë që 32 mijë persona të
tjerë ushtarakë ishin gjithashtu në shërbim
dhe rezervë. Shërbimet e sigurisë thanë se
po hetonin në lidhje me disa paralajmërime
të një sulmi të mundshëm të një grupi
somalez. Për sa i përket pjesëmarrësve,
numri i tyre në shesh thuhet se i kalonte të
2 milionë personat.

"Amerikanët zgjodhën shpresën në vend të frikës"

Bashkëqytetarët e mi,
Jam këtu sot, me përunjësi
para detyrës që na pret,
mirënjohës për besimin që
më keni dhuruar, i ndërgjegjshëm
për sakrificat e paraardhësve
tanë. Falënderoj Presidentin
Bush për shërbimin ndaj
kombit, si dhe për bujarinë dhe
bashkëpunimin e treguar gjatë
kësaj periudhe tranzicioni.
44 presidentë amerikanë janë
betuar, deri më tani, si të tillë.
Fjalët e betimit janë thënë shpesh
në kohë begatie e ujërash të qeta
e paqësore, por edhe kur qielli ka
qenë i mbuluar me re të zeza në
kohë shtrëngatash inatçore. Në
kohë të tilla, Amerika ka vazhduar
të bëjë përpara, jo vetëm
falë vizionit të atyre që ka pasur
në krye, por sepse ne, njerëzit, u
kemi qëndruar besnikë idealeve
të paraardhësve dhe dokumenteve
themeltare. Kjo ka ndodhur
në të shkuarën. Kjo duhet të
ndodhë edhe me këtë brezni
amerikanësh. Tashmë e kemi të
qartë që jemi në mesin e një krize.
Kombi ynë është në luftë kundër
një rrjeti të fuqishëm dhune dhe
urrejtjeje. Ekonomia jonë është
dobësuar keqas, për shkak të
lakmisë dhe papërgjegjshmërisë
të një pjese, por edhe të dështimit
tonë të përbashkët për të ndërmarrë
zgjedhje të vështira dhe për
ta përgatitur kombin për epokën
e re. Shumë vetë kanë humbur
shtëpitë, vendet e punës, bizneset.
Kujdesi shëndetësor është
shumë i kushtueshëm, shkollat
tona janë shpesh dështake dhe
çdo ditë që kalon, sjell fakte të
reja mbi mënyrën iracionale të
përdorimit të energjisë, mënyrë
që forcon kundërshtarët tanë
dhe kërcënon planetin. Këta janë
tregues të krizës, të dhëna dhe
statistika. Më pak e matshme,
por jo më pak e thellë, është edhe
kriza e besimit në vendin tonë,
frika se rënia e Amerikës është e
pashmangshme. Sot po ju them
se sfidat që duhet të përballojmë
janë reale. Janë serioze dhe të
shumta. Përballimi i tyre nuk
është i lehtë dhe nuk do të kryhet
brenda një kohe të shkurtër,
por Amerikë: objektivat do të
arrihen. Sot kemi ardhur për t‘i
dhënë fund ofendimeve të ulëta
dhe premtimeve të rreme, padive
dhe dogmave boshe që, për
një kohë shumë të gjatë, i kanë
zënë frymën politikës sonë. Ne
mbetemi një komb i ri, por nëse
do t‘i referoheshim shkrimeve të
shenjta, koha ka ardhur, të lëmë
mënjanë kalamallëqet. Koha ka
ardhur të ripohojmë shpirtin
tonë të fuqishëm, të zgjedhim
një histori më të mirë, të mbartim
me vete atë dhuratë të çmuar, ide
fisnike, që është përcjellë brez
pas brezi: premtimin e Zotit se të
gjithë janë të barabartë, të gjithë
janë të lirë dhe të gjithë meritojnë
një shans për të kërkuar dhe për
të qenë të lumtur. Në riafirmimin
e madhështisë së kombit tonë,
ne kuptojmë se madhështia nuk
falet, por fitohet. Rrugëtimi ynë
nuk ka qenë kurrë një rrugëtim
zemërdobëtish, i atyre që preferojnë
dembelizmin ndaj punës,
apo që kërkojnë kënaqësitë e
pasurisë dhe famës. Përkundrazi,
ka qenë një rrugëtim i njerëzve
që kanë marrë përsipër rreziqe,
i njerëzve dinamikë, i atyre që
kanë krijuar - disa syresh njihen
dhe janë vlerësuar, por pjesa më
e madhe e burrave dhe grave
mbeten të panjohur në veprën
e tyre, në rrugëtimin e gjatë e
të vështirë drejt begatisë dhe
lirisë. Ata luftuan dhe vdiqën
për ne në vende si Concord dhe
Gettysburg, Mormandi apo Khe
Sahn. Shpeshherë, këta burra dhe
gra u përpoqën dhe u sakrifikuan
dhe punuan deri në stërmundim
që ne, sot, të kemi një jetë më të
mirë. Për ta, Amerika ishte më e
madhe se sa tërësia e ambicieve
tona individuale, më e madhe se
gjithë dasitë. Ky është rrugëtimi
që do të vazhdojmë sot. Ne
mbetemi kombi më i begatë e
më i fuqishëm i botës. Punëtorët
tanë nuk janë më pak produktivë
nga sa ishin para krizës. Mendjet
tona nuk janë më pak intuitive,
shërbimet e mallrat tona nuk
janë më pak të preferuara nga
sa ishin javën, muajin, apo vitin
e fundit. Aftësitë tona mbesin të
paprekura. Përkundrazi, koha e të
qëndruarit pasiv, e të mbrojturit
të interesave të ngushta dhe marrja
e vendimeve të pakëndshme,
ka marrë fund. Duke filluar nga
sot, ne duhet të mbledhim veten,
të shpluhurosemi dhe të
nisim sërish punën për ribërjen
e Amerikës. Ngado që të hedhim
sytë, ka punë për të bërë. Situata
në të cilën ndodhet ekonomia
kërkon një veprim të fuqishëm
dhe të shpejtë dhe ne do të veprojmë,
jo vetëm duke krijuar
vende të reja pune, por edhe
duke hedhur bazat e rritjes. Do
të ndërtojmë rrugë e ngremë ura,
rrjete elektrikë dhe linja dixhitale,
që të ushqejmë tregtinë dhe që të
bëhemi bashkë. Do ta vendosim
shkencën në vendin që meriton
dhe do të përdorim mrekullitë
teknologjike për të rritur cilësinë
e shëndetit me një kosto sa më të
ulët. Do të shfrytëzojmë diellin
dhe erën dhe tokën për të furnizuar
makinat dhe fabrikat dhe
do të transformojmë shkollat e
universitetet për të qenë në një
linjë me kërkesat dhe nevojat e
epokës së re. Të gjitha këto mund
të bëhen dhe të gjitha këto do të
bëhen.
Tani, ka disa që e vënë në
dyshim përmasën e ambicieve
tona, duke sugjeruar se sistemi
ynë nuk mund të tolerojë plane
shumë të mëdha. Ata kanë një
kujtesë të pakët, sepse harrojnë
se çfarë ka bërë ky komb deri më
tani, harrojnë se çfarë mund të
arrijnë gratë dhe burrat e lirë kur
imagjinata bëhet njësh me qëllimin
e përbashkët dhe nevojës i
bashkëngjitet kuraja.
Ajo çka cinikët nuk arrijnë të
kuptojnë është se toka tashmë
u ka luajtur nën këmbë dhe se
argumentet e tyre bajate politike
që na i kanë servirur deri më tani,
nuk pinë më ujë. Pyetja që bëjmë
sot nuk është nëse qeveria është
shumë e madhe, apo shumë e vogël,
por nëse funksionon apo jo,
nëse ndihmon familjet të punësohen
me një pagë të denjë dhe
të dalin në pension në mënyrë
dinjitoze. Kur përgjigjja është po,
ne kemi ndërmend që të ecim
përpara. Aty ku përgjigjja është
jo, programet do të mbyllen. Ata
që menaxhojnë paratë publike do
të kontrollohen për t‘i shpenzuar
ato me mençuri, do të duhet të
reformohen dhe të bëjnë gjithçka
në dritë të diellit, sepse vetëm
kështu do të rivendosim besimin
jetësor mes popullit dhe qeverisë.
Para nesh nuk shtrohet pyetja
nëse tregu është një forcë pozitive,
apo negative. Fuqia e tij për
të gjeneruar pasuri dhe përhapur
liri është e pamat, por kjo krizë na
ka dhënë mësimin se pa kontroll,
tregu del jashtë kontrollit dhe se
një komb nuk mund të zhvillohet
e të begatohet, kur favorizon
vetëm të pasurit. Suksesi i ekonomisë
sonë është varur gjithmonë
jo në shifrat e Prodhimit
Kombëtar Bruto, por në arritjen
e begatisë për të gjithë, në aftësinë
tonë për t‘i ofruar mundësi
të gjithëve e jo për mëshirë, por
sepse kjo është rruga më e sigurt
për të mirën e përbashkët. Për sa
i takon mbrojtjes, e refuzojmë si
false zgjedhjen mes sigurisë dhe
idealeve tona. Etërit tanë të kombit
janë përballur me rreziqe, të
cilat as që mund t‘i imagjinojmë
dhe ata hartuan një kartë në të
cilën sanksionohej sundimi i ligjit
dhe të drejtat e njeriut, një kartë
që u shkrua me gjakun e disa
brezave. Ato ideale vazhdojnë të
ndriçojnë botën dhe ne nuk do
t‘i braktisim. Gjithë njerëzve dhe
qeverive që po na ndjekin sot që
nga kryeqytetet e mëdha e deri
te fshati më i vogël, si ai ku lindi
im atë u themi: Amerika është një
vend mik për të gjitha kombet
dhe për çdo burrë e grua dhe
fëmijë që kërkon një të ardhme
në paqe dhe dinjitet dhe se ne
jemi gati të prijmë sërish. Kujtoj
se brezat e mëparshëm rrëzuan
fashizmin dhe komunizmin, jo
vetëm me armë dhe tanke, por
edhe përmes aleancave dhe
bindjeve të qëndrueshme. Ato e
kuptuan se vetëm forca nuk mjaftoi
për t‘u mbrojtur dhe përmes
saj nuk arrijmë ato që duam. Ata
e dinin se fuqia jonë rritet nëse do
të përdoret në mënyrë të matur,
se siguria varet nga drejtësia e
kauzës sonë, forca e shembullit
tonë, temperimi i cilësive të tilla
si modestia dhe vetëpërmbajtja.
Ne jemi mbrojtësit e kësaj trashëgimie.
Të udhëhequr nga këto
parime edhe një herë, ne mund
të përballemi me kërcënimet
e reja që kërkojnë përpjekje e
fuqi më të madhe, bashkëpunim
dhe mirëkuptim më të madh
nga kombet. Do të fillojmë t‘ua
lëmë pak nga pak e në mënyrë të
përgjegjshme Irakun popullit të
vet dhe do të farkëtojmë paqe në
Afganistan. Me miq të vjetër e armiq
të dikurshëm do të punojmë
pa u lodhur, për të pakësuar
kërcënimin bërthamor dhe për t‘i
ardhur në ndihmë planetit. Atyre
që kërkojnë të arrijnë qëllimet e
tyre përmes terrorit dhe vrasjes së
të pafajshmëve u themi se shpirti
ynë është më i fortë dhe i pathyeshëm.
Ata nuk do të jetojnë
më shumë se ne dhe se do t‘i
mundim. Sepse e dimë se trashëgimia
jonë është forca, jo dobësia.
Ne jemi një komb të krishterësh
dhe myslimanësh, hebrenjsh
dhe hindush dhe
ateistësh. Ne jemi
formëzuar nga
shumë gjuhë e
kultura të ardhura
nga çdo cep
i botës dhe për
shkak se kemi
provuar shijen e
hidhur të luftës
civile dhe segregacionit
e kemi
dalë nga ai kapitull
i errët më
të fortë dhe më
të bashkuar, ne
nuk mund veçse
të besojmë se
urrejtjet e vjetra
do të zhduken, se
linjat ndarëse do
të zhbëhen dhe
se ndërsa bota
bëhet gjithnjë
e më e vogël,
njerëzimi duhet
të shfaqë veten
dhe se Amerika
duhet të luajë rolin
e saj në shpalljen
e epokës së
paqes. Botës
islamike i themi
se kërkojmë një
mënyrë të re për
të ecur përpara,
të bazuar në interesat e përbashkëta
dhe respektin reciprok.
Liderëve në mbarë globin që
kërkojnë të mbjellin konflikte,
ose të fajësojnë Perëndimin për
sëmundjet e shoqërive të tyre, u
themi se populli juaj do t‘ju gjykojë
për çka ndërtoni dhe jo për
çka shkatërroni. Atyre që ngjiten
në pushtet përmes korrupsionit
dhe mashtrimit u themi se
tashmë jeni në anën e gabuar të
historisë, por se ne do t‘jua zgjasim
dorën nëse keni dëshirë të
ndryshoni. Popujve
të varfër
ju premtojmë që
të punojmë së
bashku për të
sjellë begati në
fermat tuaja dhe
ujë të pastër në
burime, për të
ushqyer trupat
kockë e lëkurë
dhe mendjet e
uritura. Kombeve
si ky yni,
që gëzojnë një
begati relative,
u themi që nuk
munden më t‘i
lejojnë vetes të
jenë indiferentë
ndaj vuajtjeve
që përjetohen
jashtë kufijve
tanë dhe ne nuk
mund të vazhdojmë
konsumimin
e burimeve
tona pa qenë të
ndërgjegjshëm
për pasojat. Bota
ka ndryshuar
dhe ne duhet
të ndryshojmë
me të. Ndërsa
hedhim vështrimin
në rrugëtimin
që na pret, sjellim ndërmend
me përunjësi e mirënjohje ata
amerikanë trima, që pikërisht
ndërsa flasim, patrullojnë nëpër
shkretëtira e maja malesh. Ata
kanë diçka për të na thënë në këtë
moment, sikurse edhe heronjtë e
rënë që prehen në Arlington na
pëshpëritin nga kohët e shkuara.
Ne i nderojmë jo vetëm se ata
janë mbrojtësit e lirisë sonë, por
sepse ata mishërojnë shpirtin e
shërbimit, vullnetin për të gjetur
kuptimin në diçka më të madhe
se vetja e tyre. Megjithatë, në këtë
çast, një çast që do të përcaktojë
një brez të tërë, ky shpirt duhet të
na udhëheqë. Qeveria mund dhe
duhet të bëjë, por vendimtare
janë besimi dhe vendosmëria e
amerikanëve që përbëjnë edhe
bazën e kombit tonë. Është mirësia
për të pranuar një të huaj
kur është në nevojë, altruizmi i
punëtorëve që pranojnë uljen
e pagës së tyre për të mos lënë
kolegun e papunë, ajo që na bën
të shohim përtej errësirës. Është
kuraja e një zjarrfikësi që ngjitet
për të shpëtuar jetë njerëzish
në shkallën me flakë, por edhe
dashuria e prindërve për të ushqyer
fëmijët, që do të na caktojë
përfundimisht fatin. Sfidat tona
mund të jenë të reja. Mjetet me
të cilat do t‘i përballojmë mund
të jenë të reja, por vlerat nga të
cilat varet suksesi ynë: puna dhe
ndershmëria, kuraja dhe loja e
hapur, toleranca dhe kurioziteti,
besnikëria dhe patriotizmi, të
gjitha këto vlera janë të lashta,
të përjetshme. Këto vlera janë
të vërteta. Ato kanë qenë forca e
qetë e progresit në të gjithë historinë
tonë. Ajo që kërkohet është
një rikthim në këto të vërteta. Ajo
që kërkohet është një epokë e re
përgjegjësish, një ndërgjegjësim
nga ana e të gjithë amerikanëve
se kemi detyra ndaj vetes, ndaj
kombit dhe ndaj botës, të cilat
nuk i pranojmë me detyrim,
por me gëzim, të vendosur në
bindjen se nuk ka gjë që i fal më
shumë kënaqësi shpirtit, që e
përcakton më shumë karakterin
tonë se ofrimi i plotë i vetvetes
ndaj një detyre të vështirë. Ky
është çmimi dhe premtimi i qytetarisë.
Ky është burimi i besimit,
i bindjes se Zoti na bën thirrje t‘i
japim formë një fati të paqartë. Ky
është kuptimi i lirisë dhe kredos
sonë, i festimit të sotëm në këtë
shesh të mrekullueshëm nga
burrat, gratë e fëmijët e çdo race
dhe besimi.
Le ta shënjojmë këtë ditë me
ndërgjegjësimin e asaj çka jemi
dhe të rrugës që kemi përshkuar
deri më tani. Në vitin kur lindi
Amerika, në muajin më të ftohtë
të tij, një grup patriotësh u bënë
bashkë nga fushat e luftës në
brigjet e një lumi të akullt. Kryeqyteti
ishte braktisur. Armiku po
avanconte. Bora ishte përlyer me
gjak. Në një moment kur fitorja e
revolucionit u vu në dyshim, ati
i kombit tonë urdhëroi që fjalët
e mëposhtme t‘u lexoheshin
popullit:
"Le të thuhet në botën e së
ardhmes... se në zemër të dimrit,
ku veç shpresa dhe virtyti mund
të mbijetojnë... qyteti dhe vendi
u alarmuan ndaj një rreziku të
përbashkët dhe u bënë bashkë
për ta përballuar"
Amerika, përballë rreziqeve
tona të përbashkëta, në këtë
dimër vështirësish, le të kujtojë
këto fjalë të pavdekshme. Me
shpresë dhe virtyt le të guxojmë
sërish në brigjet e ngrira të lumit
dhe të përballemi me atë çka do
të sjellin stuhitë. Le të përcillet
brez pas brezi se kur u vumë në
provë, ne refuzuam të përfundojmë
këtë rrugëtim, se nuk u
kthyem pas dhe nuk u ligështuam
e se me sytë ngulur në horizont
dhe Hirin e Zotit mbi ne, çuam
përpara dhuratën e madhe të
lirisë dhe ua dorëzuam të sigurt
brezave të ardhshëm.

Ndryshimet nisin që në çastin e betimit

Që nga Epoka e Frenklin Delano
Rusveltit, presidentët gjykohen
në fund të 100 ditëve në Shtëpinë e
Bardhë. Por teksa Obama kryente dje
ritualin më të vjetër shtetëror, ndryshimet
ndodhnin që gjatë 100 minutave
të para - në politikë, mentalitet e personalitete
- në një presidencë tashmë
unike për sa i përket historisë dhe
pritshmërisë.
Si president do të veprojë menjëherë,
duke nënshkruar dokumentet
për nominimin e kabinetit, si dhe përcaktimin
e krerëve të agjencive, tha
një zyrtar i lartë pranë tij. Lëvizjet e
mëparshme janë vërejtur me shumë
vëmendje, megjithëse njerëzit e rrethit
të tij kanë lënë të kuptohet se Obama
do të presë mbërritjen e javës tjetër
për të vepruar mbi çështjet më të
nxehta, siç është urdhri për mbylljen
e burgut të Guantanamos. Obama ka
bërë gjithashtu me dije se do të presë
vendimin e Kongresit lidhur me heqjen
e ligjit që ndalon qelizat staminale, pa
marrë përsipër ta bëjë këtë me një
urdhër ekzekutiv.

Topi, mesazh urimi Presidentit Obama

Kreu i shtetit, Bamir Topi, gjeti rastin
dje të përcjellë urimet e tij për
zgjedhjen e Barak Obamës si President
i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Zgjedhja Juaj më jep kënaqësinë e
veçantë që, në emër të popullit shqiptar
dhe në emrin tim personal, t‘Ju përcjell
urimet më të mira e më të përzemërta
për fitoren Tuaj historike!", shkruan
Topi në mesazhin e urimit. Më lejoni
Zoti President, vijon ai, që me këtë
rast, të ritheksoj besimin tim, se niveli
i shkëlqyer që ka karakterizuar marrëdhëniet
dypalëshe midis Shqipërisë
dhe SHBA-së, gjatë Presidencës Suaj,
do të forcohet dhe zhvillohet më tej,
në dobi të dy popujve tanë miq. Presidenti
i Shqipërisë beson se angazhimi
i SHBA-së në mbështetje të popullit
tonë, përgjatë gjithë proceseve të
brendshme demokratike-reformuese
dhe sfi dave atlantike-integruese, është
për ne garanci inkurajuese për vazhdimësinë
dhe kryerjen e suksesshme të
tyre. Topi siguroi Presidentin Obama,
për angazhimin e tij dhe të vendit tonë,
si aleatë e partnerë të besueshëm përkrah
popullit amerikan, në trajtimin e
politikave të përbashkëta rajonale dhe
globale, me synim paqen, stabilitetin
dhe zhvillimin, për një bashkëjetesë
harmonizuese mbarëbotërore!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›