Barak Obama flet shqip: “Ti mundesh”
"Po, ti mundesh", është mesazhi më i rëndësishëm i librit "Guximi për të shpresuar" i Barack Obamës", - tha ambasadori i SHBA-së, në Tiranë, Xhon Uidhërs, gjatë promovimit të këtij libri, një botim në shqip nga shtëpia 'Dudaj'. Ai nënvizoi se "libri i Obamës është një vepër që lexohet lehtë, por ajo ka një kuptim të thellë, pasi lidhet me tema shumë të vështira për shoqërinë amerikane, si çështjet e racave, të politikës gjinore, Kushtetutës etj., për të cilat ne në SHBA e kemi të vështirë të flasim. Por, ndërsa lexova këtë libër, ndjeva se Obama po më fliste drejtpërsëdrejti mua dhe po më drejtonte një sfidë: 'Ti mund t'ia dalësh'. Diplomati amerikan gjykon se mësimet e këtij libri nuk kanë zbatim vetëm në SHBA ose vetëm për amerikanët, por ato u përkasin të gjithë atyre njerëzve që janë të përkushtuar ndaj lirisë e demokracisë dhe dëshirojnë të ushqejnë e përmirësojnë jetën e tyre. "Një nga gjërat që unë dëgjoj shpesh, qëkurse kam ardhur në Shqipëri është se 'ti mund të besosh, se je amerikan nga SHBA-ja, por këto gjëra nuk mund të ndodhin në Shqipëri, se ne nuk jemi të përgatitur për atë nivel të lirive individuale dhe parimeve demokratike që ekzistojnë në vende të tjera. Por, ajo që unë ju them sot është: Lexojeni këtë libër të Obamës se "Po, mund t'ia dilni", - deklaroi ambasadori Uidhërs në fjalën e tij përshëndetëse. "Nëse je një afro-amerikan, ti mundesh që të zgjasësh dorën e miqësisë ndaj atyre që janë të bardhë ose nëse je një amerikan i bardhë, mundesh të zgjasësh dorën e miqësisë drejt atyre që janë afro-amerikanë. Dhe Obama arriti ta provojë këtë gjë, duke arritur të fitojë mbi 60 milionë vota të qytetarëve të SHBA-së, që vinin nga çdo racë, nga çdo lloj besimi fetar e nga çdo lloj përkatësie, duke u bërë vetë, i pari President afro-amerikan i SHBA-së", - tha ambasadori amerikan në Tiranë.