E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhërs takon Berishën dhe Ramën



Ambasada e SHBA-së në Tiranë po tenton të shtyjë partitë politike drejt një zgjidhjeje konkrete për çështjen e Kodit të ri Elektoral, pak orë para se drafti të kalojë për votim në Kuvend. Të paktën kjo ka qenë arsyeja e një bisede kokë më kokë mes diplomatit amerikan dhe kreut të PS-së, Edi Rama, nga i cili po pritet dhe vendimi për negociata me deputetët grevistë që kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ndërkohë, po dje, Uidhërs është takuar dhe me Kryeministrin Sali Berisha, por burimet zyrtare bëjnë të ditur se ky takim është fokusuar vetëm tek ndryshimi i Presidentit të SHBA-ve. Por ndërkaq, në mënyrë zyrtare ditën e shtunë kjo ambasadë kërkoi negociata politike. “Aspektet teknike të zgjedhjeve dhe të procesit zgjedhor kanë nevojë për një diskutim nëpërmjet mjeteve të hapura dhe bashkëpunuese ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaron se po ndjek nga afër situatën e grevës së dhjetë deputetëve të partive të vogla dhe nxit arritjen e një zgjidhjeje nëpërmjet konsensusit”, - thuhej në deklaratën e zëdhënësit të ambasadës amerikane në Tiranë, Biks Aliu.

Takimi me Berishën

Duke bërë të ditur takimin mes kreut të qeverisë dhe ambasadorit amerikan, zyra e shtypit pranë Kryeministrit njofton më tej se “gjatë këtij takimi, ambasadori amerikan e njohu Kryeministrin Berisha me situatën e re postzgjedhore në SHBA dhe me prioritetet e pritshme të administratës së re të Presidentit Obama. Kryeministri Berisha vlerësoi se zgjedhjet në SHBA janë një ngjarje e shënuar dhe një çast historik për popullin dhe kombin e madh amerikan, por edhe për mbarë njerëzimin që gjen te SHBA-ja modelin më të shkëlqyer dhe garantuesin më të madh të lirisë dhe vlerave të saj. Në këtë kontekst, Kryeministri nënvizoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe mbeten prioriteti më kryesor i qeverisë së tij. Berisha u shpreh se pret me kënaqësi të bashkëpunojë ngushtë me Presidentin Barak Obama dhe me administratën e re të SHBA-së.

Takimi me Ramën

Ndryshe nga takimi me z. Berisha në selinë e qeverisë, takimi me Ramën u zhvillua pas promovimit në hotel “Tirana” të librit të Presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Barak Obama. Ata janë veçuar në bisedë kokë më kokë në hotel “Tirana”. Dy protagonistët e këtij takimi nuk kanë dhënë asnjë detaj rreth bisedës së tyre pavarësisht këmbënguljes së medias, megjithatë mësohet se zhvillimet fundit politike, greva e urisë së dhjetë deputetëve si dhe Kodi Zgjedhor ishin baza e bisedës së këtij takimi. Të pyetur nga mediat para këtij takimi si ambasadori amerikan Uidhërs dhe kreu i PS-së, Edi Rama, nuk kanë pranuar të bëjnë komentet e tyre për situatën politike, ku 10 deputetë qëndrojnë të ngujuar në një grevë urie në ambientet e Kuvendit në përpjekje për të qenë dhe forcat që ato përfaqësojnë pjesë e komisioneve zgjedhore. Prej një jave, 10 deputetë të LSI-së dhe PDK-së qëndrojnë të ngujuar në grevë urie në pritje të një konsensusi politik mes dy partive kryesore në vend për përfshirjen e tyre në komisionet zgjedhore. Duket se PS-ja, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ka zbutur qëndrimin ndaj LSI-së, duke u shprehur e hapur për dialog. Ndërkohë, nga ana tjetër, Kryeministri Sali Berisha është shprehur i gatshëm të pranojë çdo vendim të PS-së, nëse arrin të negociojë me partinë e Ilir Metës për përfshirje të komisionerëve të tij në komisionet zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›