Barak Obama nis itinerarin e inaugurimit historik
Presidenti i zgjedhur amerikan, Barak Obama ka nisur dje festimet katër ditore që do të zgjasin deri në inaugurimin e tij. Obama ka zgjedhur të përshkruajë të njëjtën rrugë me tren drejt Uashingtonit nga ka kaluar heroi i tij, Abraham Linkoln për ditën e inaugurimit. Itinerari nisi në Filadelfia të Pensilvanisë. Komiteti i Inaugurimit Presidencial ka njoftuar se mijëra njerëz ishin në Filadelfia për të përshëndetur zotin Obama dhe nënpresidentin e zgjedhur Xho Bajden. Rreth një milion njerëz do të mblidhen të dielën për të marrë pjesë në një koncert para Memorialit të Linkolnit. Presidenti i zgjedhur do të mbajë një fjalim dhe më pas do t’ia lerë vendin të ftuarve artistë si këngëtarët Bono, Bejonce, Stivi Uonder dhe Bruce Springsten. Në këtë memorial udhëheqësi i të drejtave civile Martin Luther King, mbajti fjalimin e famshëm “I have a dream”. Të martën, në Parkun Kombëtar parashikohet të mblidhen deri në dy milionë njerëz për të parë ceremoninë e betimit të zotit Obama dhe paradën që zhvillohet me këtë rast. Atë ditë Uashingtoni do të bllokohet nga masat e sigurisë. Shumë ura dhe rrugë të qytetit do të mbyllen. Mijëra trupave të policisë do t’i shtohen rreth 18 mijë forca të ushtrisë. Veç tyre 14 mijë të tjerë do të jenë në gjendje gatishmërie, në rast urgjence. Festimet do të përfundojnë të martën, me një numër ballosh zyrtare. Të mërkurën Presidenti i ri fillon nga puna. Njeriu më i fuqishëm i rivalit shekullor të SHBA-së, Vladimir Putin, e ka përshkruar Obamën si njeri të sinqertë dhe të hapur, duke shpresuar që të shohë se si do të duket kjo “në praktikë”. Një ditë më parë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me SHBA-në e drejtuar nga Obama.