E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurbin, një vajzë 20 vjeçe prej tre ditësh e zhdukur

 

KURBIN - Një vajzë 20-vjeçare është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë nga banesa e saj në fshatin Gjorm të Kurbinit. Pasi pritën tre ditë dhe ajo nuk u kthye në shtëpi, familjarët e saj iu drejtuan policisë për ndihmë. Burime të policisë bënë të ditur se vajza me inicialet A.P., është shpallur e zhdukur dhe po punohet për gjetjen e saj. Sipas dëshmisë së dhënë nga familjarët, 20-vjeçarja ishte larguar nga banesa kur prindërit e saj ndodheshin në punë. Kur këta të fundit janë kthyer në shtëpi, kanë konstatuar mungesën e të resë. Pasi kanë pyetur të afërmit e fqinjët dhe pasi pritën me shpresë se ajo do të kthehej në shtëpi, familja e të zhdukurës denoncoi në polici. Policia e Kurbinit bëri të ditur se është duke hetuar këtë ngjarje. Në fokus të hetimeve janë edhe tabulatet e telefonit me të cilët mund të ketë komunikuar e reja. Familjarët e saj kanë deponuar se nuk kishin dijeni nëse vajza mund të ketë pasur të dashur. Ata kanë mohuar edhe ndonjë konflikt të mundshëm me të. Policia nuk përjashton pistën e rrëmbimit me dhunë. Personat e implikuar mund ta kenë ditur se vajza ndodhej e vetme në shtëpi dhe prindërit e saj ishin në punë. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›