E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli pranon armëpushimin e njëanshëm pas Rezolutës

 

Kryeministri izraelit ka njoftuar mbrëmë se ka miratuar armëpushimin e njëanshëm në Gaza, ndërkohë që në Sharm El Sheik liderët botërorë do të takohen sot për të kërkuar një armëpushim të qëndrueshëm. Olmert i ka telefonuar presidentit egjiptian, Mubarak, i cili ndërmjetësoi bisedimet me ndërkombëtarët. Por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, i cili i ka kërkuar tani Izraelit që të tërheqë trupat nga Gaza. Vendimi i Olmert dhe i Këshillit të Sigurisë në Izrael erdhi një ditë pas vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi fundin e konfliktit dhe pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mbi armëpushimin me Shtetet e Bashkuara në këmbim të garancive nga SHBA se Hamasi në Gaza nuk do të furnizohet më me armë nga Egjipti nëpërmjet trafikut të armëve. Edhe Franca, Gjermania e Britania janë shprehur kundër trafikut të armëve, këto vende kanë shprehur gatishmërinë të furnizojnë me njerëz dhe mjete zonën kufitare me Palestinën për të mbajtur nën fre trafikun e armëve. Njoftimi është bërë i nënshkruar nga tre qeveritë evropiane në një letër të përbashkët drejtuar Egjiptit dhe Izraelit. Sipas një të përditshmeje izraelite, “Haaretz” Shtetet e Bashkuara do të përfshijnë partnerët rajonalë të NATO-s për të bllokuar kontrabandën e armëve të Hamasit. Ndërsa Asambleja e Përgjithshme ka kërkuar respektimin e plotë të rezolutës së miratuar javën e kaluar në Këshillin e Sigurimit. Izraeli, SHBA-të dhe ishulli Nauru në Paqësor votuan kundër rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme. I dërguari amerikan në OKB Alejandro Wolff e quajti rezolutën “të panevojshme dhe që nuk ndihmon”. Përfaqësuesi i Hamasit në Liban, Osama Hamdan, tha se lëvizja radikale islamike do të luftojë në Rripin e Gazës derisa të plotësohen kërkesat e saj. Edhe para bisedimeve për armëpushimin Izraeli ka ndërmarrë 50 sulme nga ajri gjatë natës në Gaza. Palestinezët thonë se një predhë tanku qëlloi një shkollë të OKB-së në Gazën Veriore, duke vrarë një grua dhe një fëmijë. Izraeli thotë se po heton ngjarjen. Dje ishte dita e 22-të e ofensivës izraelite dhe bilanci i viktimave ka kaluar 1200 palestinezë, nga të cilët 410 fëmijë. Të plagosur janë 5.300 nga të cilët 1630 fëmijë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›