Berisha tek Evertoni,...por s’është Besarti
Jetmir Halilaj
Portieri kosovar Etrit Berisha gjatë muajit shkurt pret të provohet në klubin e njohur anglez Everton. 19-vjeçari Berisha luan me kampionen në fuqi të Suedisë, Kalmarin. “Në dhjetor bëra një provë te një ekip në Qipro, por qëllimi i provës ishte që të vëzhgohesha nga menaxherë të klubit të Evertonit. Atyre iu pëlqeu paraqitja ime dhe më ftuan që gjatë shkurtit të testohesha te kjo skuadër. Data e saktë e testimit nuk është caktuar ende, por e di që për disa ditë do të stërvitem me ekipin e dytë të Evertonit”, ka thënë Berisha të shtunën për “Koha Ditore”. Portieri shtatlartë (194 cm), Etrit Berisha, në fillim të vitit të kaluar u transferua nga 2 Korriku i Prishtinës në Kalmar. Me ndërmjetësimin e Albert Bunjakut, Berisha në shtator të vitit 2007 zhvilloi një provë te Kalmari dhe u pëlqye nga trajnerët e kësaj skuadre, të cilët vendosën t’i ofronin kontratë. Ai me Kalmarin ka kontratë deri në fund të këtij viti. Gjatë vitit të kaluar nuk ka arritur të depërtonte në ekipin e parë të Kalmarit. Mediat suedeze kanë shkruar të shtunën se Berisha pritet të huazohet nga Kalmari tek ekipi i kategorisë së tretë Lindsdals. “Javën e ardhshme do të bisedoj me drejtuesit e klubit dhe aty do të vendoset nëse do të mbetem në ekip apo do të huazohem diku tjetër. Nëse më premtojnë se gjatë këtij viti do të më jepet mundësia për të luajtur në ekipin e parë, atëherë do të qëndroj. Nëse nuk kam hapësirë në ekipin e parë, atëherë është më mirë që të transferohem në ndonjë ekip tjetër ku do të luaj rregullisht”, ka shtuar Berisha. Ai para dy javësh mori pjesë në zborin me futbollistët kandidatë për përfaqësuesen Shpresa (U-21) të Shqipërisë. Paraqitjet e tij u vlerësuan pozitivisht nga trajneri i U-21 të Shqipërisë. “Artan Bushati mbeti i kënaqur me mua. Ka thënë se do të më marrë në konsideratë në të ardhmen dhe se shumë shpejt do të më ftojë në kombëtaren Shpresa”, ka deklaruar.
Kastrati
Skuadra e Ligës së Parë të Holandës, Tvente, ka ofruar 650 mijë euro për transferimin e sulmuesit 17-vjeçar, Flamur Kastrati. Këtë e ka pohuar vetë futbollisti kosovar. Kastrati luan për skuadrën e Ligës së Dytë të Norvegjisë, Skeid. Gjatë muajit nëntor ka qenë në provë te skuadra Tvente, të cilën e drejton ish-trajneri i Anglisë, Stiv Meklaren. Përkundër ofertës prej 650 mijë euro, zyrtarët e skuadrës norvegjeze Skeid ende nuk kanë dhënë përgjigje. Ata dëshirojnë të nxjerrin më shumë para nga transferimi i Kastratit. “Unë jam i gatshëm të kaloj në Tvente. Shpresoj që transferimi të realizohet në janar. Jam shumë i përgatitur dhe Tvente është skuadër ku mund të rritem shumë si futbollist. Tvente ka një akademi shumë të njohur futbollit”, ka thënë Kastrati. Për të kanë shfaqur interes skuadrat më të njohura norvegjeze Valerenga, Lilestrom dhe Lin, mirëpo i riu shpreson që të realizohet transferimi në Tvente.