E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana: Kosova s’ka paralele me Osetinë e Jugut e Abkhazinë

Shqipëria e ka dënuar vendimin e Rusisë për të njohur dy republikat separatiste të Gjeorgjisë, Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, duke i krahasuar ato me Kosovën. 

Vetëm një ditë më parë, Presidenti rus, Dimitri Medvedev ka deklaruar në një intervistë për CNN, se si Kosova që është rast ‘sui generis’, edhe dy republikat që njohu Rusia janë të tilla ‘sui generis’, duke justifikuar deklaratën e njohjes së tyre më 26 gusht. Kësaj deklarate u janë kundërpërgjigjur shumë liderë të botës, duke i hedhur poshtë krahasimet mes rastit të Kosovës dhe të dy republikave të Gjeorgjisë, që tashmë njihen vetëm nga Rusia si shtete më vete, përkatësisht me 70 000 dhe 200 000 banorë. Kreu i OKB-së, Ban Ki Mun, Departamenti amerikan i Shtetit, Gjermania, Franca, Sllovenia etj., kanë refuzuar paralelizmat e ngritura nga kreu rus. Edhe diplomacia shqiptare ka reaguar për të dënuar deklarata të tilla. Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka lëshuar një deklaratë për shtyp, me të cilën shpreh keqardhjen mbi vendimin e Rusisë për njohjen e pavarësisë të dy rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Duke e dënuar këtë hap, Ministria e Jashtme shqiptare e quan atë pajustifikueshëm, të papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të votuara edhe nga vetë Rusia. “Ministria e Punëve të Jashtme hedh poshtë me vendosmëri çdo përpjekje për të vendosur paralele midis Kosovës dhe rajoneve autonome të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Argumente të panumërta historike, shkencore e juridike dëshmojnë se, rasti i Kosovës është unik dhe zgjidhja e zbatuar për të është unike. Si i tillë, ai nuk shërben e as nuk mund të shërbejë si model për zgjidhjen e konflikteve të tjera as në rajon, as jashtë tij”, shkruhet në deklaratën zyrtare. Diplomatët shqiptarë argumentojnë se duke mbështetur shkëputjen nga Gjeorgjia të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, ndërkohë që në rastin e pavarësimit të Kosovës mbrojti të kundërtën, Moska po komprometon përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e drejtë, realiste dhe të qëndrueshme të konflikteve. Edhe një herë Shqipëria theksoi, se shpreh mbështetjen e plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë dhe i bashkohet thirrjes drejtuar Moskës zyrtare, që në mbështetje të së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve themelore të sigurisë evropiane, të rishikojë vendimin e saj për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, pasi vetëm kështu i kontribuohet paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.

SHBA: Mes Kosovës dhe Osetisë së Jugut s’ka paralele
“Kosova dhe Osetia e Jugut janë dy raste të ndryshme midis të cilave nuk mund të bëhet paralele”, ka deklaruar zëvendësi i zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Robert Vud. Deklarata nga Departamenti amerikan i Shtetit erdhi pas krahasimit që bëri presidenti rus, Dimitri Medvedev mes Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë një ditë më parë. “Ne nuk shohim paralele. Këto janë dy raste shumë të ndryshme”, tha Vud në një deklaratë shtypi.

OKB: Jo paralele midis Kosovës dhe provincave gjeorgjiane
Kombet e Bashkuara kanë hedhur poshtë çdo paralele mes Kosovës dhe dy provincave gjeorgjiane që u njohën nga Rusia. Zëdhënësja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB së, Mishel Montas, ka thënë se “Ju nuk duhet t’i krahasoni të dyja situatat. Historia e tyre është e ndryshme dhe mendoj se kjo është theksuar disa herë me radhë”, theksoi zëdhënësja e Ban Ki Munit, duke konfirmuar vazhdimin e rikonfigurimit të misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›