Stuhitë e shiut e tërmeti tronditin Korçën
KORÇE - Stuhi me reshje e breshër e tre lëkundje tërmeti. Natyra është treguar e ashpër gjatë ditës së djeshme për rajonin juglindor të vendit, ku në "shënjestër" ka qenë Qarku i Korçës. Gjatë dy ditëve të fundit në zonën juglindore të vendit ka pasur reshje të stuhishme shiu e madje edhe breshër. Stuhia e veçanërisht breshëri kanë shkaktuar dëme në vreshtari e pemëtari. Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit ende nuk ka statistika se sa ka qenë dëmi i krijuar veçanërisht në zonat e Voskopojës dhe të Mokrës, ku këto reshje kanë qenë më të rrëmbyeshme. Ndryshe nga një ditë më parë kur temperatura ishte e lartë për shkak të rrymave të nxehta afrikane, dje temperatura më e ulët ishte 14 gradë celsius dhe më e larta 29 gradë celsius. Pas stuhisë, tre lëkundje tërmeti tronditën në mëngjes Korçën. Fatmirësisht sipas shtabit të emergjencave civile pranë Institucionit të Prefekturës së Korçës nuk ka pasur të lënduar apo dëme materiale. Intensiteti i tërmetit, me shkallë 4.5 ballë të shkallës Rihter ka zgjuar në panik banorët e juglindjes. Lëkundja e parë u ndje në orën 05:30 dhe më pas është shoqëruar edhe nga dy lëkundje të tjera. Sipas të dhënave të marra pranë qendrës sizmologjike në Tiranë bëhet e ditur, se epiqendra e këtij tërmeti ka qenë Voskopoja me një thellësi prej 7 deri 8 kilometra nën tokë dhe me një lëkundje vertikale. Në Voskopojë, në fshatrat rreth saj e në ndonjë banesë në Korçë janë konstatuar plasaritje të lehta e të papërfillshme të banesave. j.gj