Një qendër për zbulimin e SIDA-s
ELBASAN - Drejtoria e Shëndetit Publik në Elbasan ka hapur një qendër për diagnostifikimin e të prekurve me HIV-AIDS. Bëhet fjalë për një laborator në ambientet e Klinikës së Specialiteteve me qëllim kryerjen e analizave për të sëmurët me këtë virus. Drejtori i këtij institucioni, Everest Hoxha, pohoi se kjo qendër është hapur me mbështetjen e fondacionit humanitar “GLOBAL” dhe nga Drejtoria e Shëndetit Publik, në kuadër të projekteve të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë. Pranë kësaj qendre mund të kryejnë analiza në mënyrë vullnetare të gjithë të interesuarit, si dhe mund të marrin këshillime nga ana e specialistes Elena Bibanja për mënyrën e parandalimit të kësaj sëmundjeje dhe për mbështetje psikologjike. Deri tani numri i personave që janë paraqitur pranë kësaj qendre për kryerjen e analizave është ende i ulët. a.k