Barazia gjinore, deputet femra braktisin konferencën

Dje u zhvillua Konferenca Kombëtare "Përballja me Stereotipet Gjinore". Deputetet e majta dhe të djathta braktisin konferencën, acarohen femrat
Përfaqësues të qeverisë shqiptare, shoqëria civile dhe organizata ndërkombëtare u mblodhën dje për të diskutuar dhe për të gjetur mënyrat për të adresuar stereotipet gjinore që ndikojnë në avancimin e grave shqiptare në fushën e vendimmarrjes.
E ndërsa Konferenca Kombëtare "Përballja me Stereotipet Gjinore" e zhvilluar dje mblodhi qindra femra, këto të fundit janë zhgënjyer kur deputetet femra të djathta dhe të majta janë larguar nga konferenca menjëherë pas përshëndetjes së kryeministrit, Sali Berisha.
I pranishëm në konferencë ka qenë Ambasadori i Prezencës së OSBE-së, Robert Bosch, të cilit i është dashur sërish të bëjë albitrin edhe në këtë rast për të zbutur zemërimin e përfaqësuesve të shoqërisë civile ndaj deputeteve femra. Ndërsa përfaqësues të Ministrisë së Arsimit shprehën shqetësimin se në panel nuk ndodhej asnjë përfaqësues i arsimit, ndonëse ky sektor është më i rëndësishmi për luftuar stereotipet gjinore.
Acarimet
"Do të ishte mirë që deputet femra të mos largoheshin nga salla. Të gjitha ikën. Na thoni ka ndonjë deputete femër që ende vazhdon të jetë në konferencë...? Të paktën ato nuk duhej të iknin nga kjo konferencë, por duhej të na mbështesin ne femrat më shumë se askush tjetër".
Këto ishin reagimet e pjesëmarrëseve femra në Konferencën "Përballja me Stereotipet Gjinore", të cilat janë ndier të ofenduara nga largimi i menjëhershëm i deputeteve femra, si deputetes së Partisë Demokratike, Mesila Doda, deputetes së PD-së, Albana Vokshi dhe deputetes së Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, të cilat nuk kanë marrë mundimin të rrinë as deri në përfundim të pjesës së parë të konferencës, por kanë ikur menjëherë pas kryeministrit, Berisha.
"Falënderojmë ambasadorin e OSBE-së, Robert Bosch, dhe Koordinatoren e Përhershme e Kombeve të Bashkuara, Gulden Turkoz-Cosslet, të cilët morën mundimin të rrinë edhe pse kanë edhe këta preokupimet e tyre.
Ndoshta deputet femra, për të cilat kemi dhënë kontribut që të futen në Parlament kanë më shumë punë se ndërkombëtarët, ndaj dhe nuk morën mundimin të rrinë", - theksoi njëra nga përfaqësueset e shoqërisë civile.
I ndodhur përball kësaj situate, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, është munduar të qetësojë situatën, duke u thënë se nuk duhet të dekurajohen nga situata të tilla dhe se barazia gjinore është një mision i vështirë, për të cilin duhet punuar për ta arritur.
Ndërsa zv.ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Filloreta Kodra, theksoi se pas këtyre reagimeve mesazhi t'u ketë shkuar deputeteve femra, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten më.
Arsimi
Të pakënaqurit e kësaj konference janë edhe përftuesit e Ministrisë së Arsimit, pasi në panel nuk është ulur asnjë përfaqësues i tyre. Sipas burimeve të MASH, jo se nuk kanë dashur, por nuk kanë marrë ftesë për të qenë në panel.
"Duhet të dini se lufta ndaj stereotipeve gjinore nis dhe zhvillohet nga arsimimi, madje që në shkollat 9-të vjçare. Se kuptojmë përse nuk kishte të paktën një përfaqësues të arsimit në panel", - pohojnë përfaqësues të arsimit.
Berisha: Në ofiqet e larta janë 80 për qind e burrave
"Në administratën shqiptare predominojnë vajzat dhe gratë. Në universitetet e vendit, në një përqindje qartësisht më të lartë, diplomohen vajza, sesa djem.
Dhe, megjithatë studimet faktojnë se të ardhurat që ato realizojnë për familjen e tyre janë rreth 35 për qind më të ulëta se të burrave", kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha në konferencën Kombëtare "Përballja me Stereotipet Gjinore", duke shtuar se në të gjitha borderotë nuk është e shkruar kund një pagë më e ulët për gruan, sesa për burrin, por tërësia është kokëfortë dhe dëshmon se gratë marrin më pak. "Në rast se në ofiqet e larta burrat janë rreth 80 për qind, gratë janë në 20-30 për qind.
Kjo, sepse në biznese, në rast se burrat janë mazhorancë absolute, gratë janë shumë më të pakta dhe jo, sepse ato nuk kanë iniciativën e lirë të zhvilluar, përkundrazi e kanë shumë të zhvilluar, jo se ato nuk mund të organizojnë dhe drejtojnë bizneset, përkundrazi, në shumë aspekte, më mirë se vetë burrat", pohon Berisha se në marrëdhëniet kontraktuale gratë janë të shkëlqyera dhe krahasuar me to, burrat do të ishin qytetarë të dorës së dytë.
Konferenca në të njëjtën kohë lançon procesin me pjesëmarrje të vlerësimit dhe rishikimit të Strategjisë Kombëtare për Barazi Gjinore dhe Luftë Kundër Dhunës në Familje, me mbështetje të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore, financuar nga Fondi i Koherencës së OKB-së.