Qeveria tërhiqet për shtëpinë e Dash Pezës

Ministri Xhaferri: Deputeti Peza do vazhdojë të jetojë në atë shtëpi, ne do të kujdesemi për mbrojtjen e saj
TIRANË- Qeveria është tërhequr nga vendimi i saj për t'i marrë shtëpinë deputetit socialist, Dashamir Peza, dhe nëpërmjet ministrit të Kulturës ka pohuar dje se ishte një keqkuptim. Edhe pse dy ditë më parë e njëjta ministri ka dërguar dhjetëra forca policore për të nxjerrë familjen Peza nga banesa e ndërtuar prej saj në tokën e saj, Xhaferri pohoi se qëllimi i ministrisë është kujdesja më e madhe për shtëpinë.
"Kjo shtëpi ka vijuar të jetë shtëpi- muze, monument kulture e mbrojtur nga shteti, ndërkohë që në vitin 2006 ka pasur një propozim që ajo të hiqet nga lista e monumenteve të kulturës", tha ministri Xhaferri.
Po në këtë vit qeveria Berisha e ka hequr këtë banesë nga lista e muzeve duke ia kaluar për administrim bashkisë së Tiranës. Sipas qeverisë, Myslym Peza nuk duhet të konsiderohej heroi dhe banesa e tij nuk kishte asnjë vlerë për tu cilësuar muze. Për këtë arsye qeveria ka kryer edhe zhvarrimin e Myslym Pezës nga Varrezat e Dëshmorëve. Por tashmë ministri Xhaferri pohon të kundërtën.
"Po në vitin 2006 Edi Rama, për shkaqe të dyshimta, në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet që rregullojnë raportet e qeverisjes vendore, propozon që kjo shtëpi muze të kalojë në inventarin e pronave në përgjegjësinë territoriale dhe administrative të Bashkisë së Tiranës",- tha Xhaferri në një kohë kur vendimi për heqjen e shtëpisë nga lista e muzeve është marrë nga qeveria.
Xhaferri mohoi që ky vendim që kërkon të zbatojë Drejtoria e Monumenteve të Kulturës të jetë politik. "MTKRS, nisur nga këto arsye, i propozoi qeverisë që shtëpia-muze, që gjithmonë ka qenë monument kulture, të kthehet nga administrimi i Bashkisë së Tiranës nën administrimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës së Tiranës, për të pasur një përkujdesje të madhe", tha ai.
Sipas tij, ky vendim nuk e cenon aspak as pronësinë e shtëpisë, as banorët e saj, pasi ne kemi me dhjetëra raste kur ndërtesa e monumente kulture kanë pronarët e tyre legjitimë, që jetojnë dhe kujdesen në ato shtëpi, por edhe MTKRS kujdeset për mbrojtjen e tyre.
Berisha: Shtëpinë e Pezës e bëra muze
"Unë shtëpinë muze në fshatin Pezë e ktheva në muze duke njohur vlerat edhe kjo nuk ju leverdiste.
Nuk është vendim qesharak shpallja e asaj shtëpie muze ku u themeluan fronti pluralist antifashist shqiptar. Ajo shtëpi do shndrisë si margaritar në historinë e popullit shqiptarë.
Për ju nuk ka rëndësi kjo, ka rëndësi destinacioni tjetër. Këtë sjellje e keni kudër meje ju, por mos ngatërroni Pezën me mua. Peza është trashëgimia historike e shqiptareve. Unë e shpalla shtëpinë në Pezë muze dhe korrigjova gabimet e bëra, ajo shtëpi do mbetet muze.
Në vend që të më duartrokisnit u vërsulët të gjithë kundër meje. Unë ju bëj thirrje mos vendosni si parim të veprimtarisë tuaj anti-Berishizmit, mbajeni në ekran nuk them se ne jemi kundërshtarë, por duke u bërë totalitar këtë qëndrim nuk i shërben juve".
Ruçi: Peza? Më mirë vonë se sa kurrë
Dy fjalë për atë që ju e thatë me humor në fund, që me Pezën ç'patët. Vërtetë me Pezën ç'patët. Që të jeni i besueshëm zoti Berisha, mos harroni se pronarit të vërtetë të asaj shtëpie, ti i ke nxjerrë eshtrat nga varri dhe sot ti i kërkon shpinë dhe kërkon ta vlerësosh. S'ka gjë, më mirë vonë sesa kurrë. Ta vlerësosh dhe si figurë dhe konferencën e Pezës si akt, por në asnjë mënyrë për të përdorur ato që u përdorën dje për të tërhequr vëmendjen nga problemet e vërteta".