Barazim Franca e Anglia

E kishte një emër skuadra më e mirë në fushë në stadiumin “Donbas Arena” të Donjeckut, por ajo nuk arriti ta merrte fitoren. Kjo skuadër quhet Francë dhe trajneri Loren Blank duhet të ketë mbetur i kënaqur të paktën me futbollin e prodhuar nga të tijtë.
“Gjelat” dolën barazim 1-1 me Anglinë e Roi Hoxhsonit, duke dhënë më shumë dhe duke qenë më pranë suksesit, ndonëse pësuan gol të parët. Pas paralajmërimit të bërë nga Nasri, ishte ekipi i “luanëve” që mund të kishte kaluar në avantazh, por Xhejms Milner humbi një rast të pastër me portën bosh, ndoshta sepse ishte tepër i devijuar në krahasim me kuadratin e Jorisit.
Kaluan edhe disa minuta dhe Anglia shënoi. Nga goditja e dënimit, kapiteni Xherrard krosoi mrekullisht dhe Xholion Leskot realizoi duke u koordinuar shkëlqyeshëm në ajër.
Mbrojtësi anglez fitoi duelin me francezin Alu Diarra për të shënuar golin e avantazhit.
Francezët reaguan menjëherë dhe vetë Diarra deshi të shlyente gabimin duke provuar dy herë radhazi për të dërguar topin në rrjetë. Herën e parë u ndal nga Xhejms, në të dytën topi përfundoi paksa anash shtyllës pingule.
Veçse era po frynte për velat e Francës dhe barazimi erdhi logjik. Një aksion shumë i menduar në të majtë, nxorri krejt bosh Samir Nasrinë përpara portës që shënoi me një gjuajtje të shkëlqyer.
Autorë të të dy golave u bënë lojtarët e Mançester Sitit.
Në pjesën e dytë, ekipet menduan më shumë për barazimin, edhe pse blutë e Blankut vazhduan të ishin të rrezikshëm. Më parë Benzema provoi nga largësia, por Hart priti, ndërsa 10 minuta para fundit afër golit ishte lojtari i Njukasëllit, Kabaje. Porta angleze shpëtoi mirë.
Ky barazim bën që asnjëra skuadër të mos fitojë avantazh në grupin D, ndonëse përshtypja është që Franca mund të cilësohet më shumë favorite.