E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portugalia me syte nga fati

Portugalia shpreson që Kristiano Ronaldo dhe Nani do të kenë më tepër fat në takimin e radhës kundër Danimarkës, në krahasim me sfidën debutuese në Euro 2012 përballë Gjermanisë.
Luzitanët goditën dy herë traversën në ndeshjen e humbur 1-0 përballë “panzerave” dhe shpresojnë që fati t’ua kompensojë golat në duelin me danezët, mbrojtja e të cilëve nuk është njësoj si ajo e gjermanëve. Kjo është dëshira e mesfushorit Migel Veloso.
“Krijuam shumë raste kundër gjermanëve, por topi thjesht nuk donte të hynte në rrjetë. Me atë që ndodhi në ndeshjen e parë, tashmë shpresojmë që fati të na ndihmojë paksa, në mënyrë që të marrim fitoren e parë”, thotë Veloso.
Pavarësisht humbjes me Gjermaninë, mesfushori tjetër, Nani beson se Portugalia ka shanse të mira të kualifikohet në Grupin B, ku tashmë Danimarka ka shanse të mira të vazhdojë aventurën, ndërsa një rival shumë i vështirë është edhe Holanda.
Portugalia po vazhdon përgatitjet në Opalenika, pranë Poznanit në Poloni, ndërsa takimi i tyre i radhës kundër Danimarkës do të luhet të mërkurën në “Arena Lviv” të Ukrainës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›