Barazime në supersfidat, shpërthen Tirana
Si të sinkronizuara nga një “bilbil” i fshehtë, dy takimet më të rëndësishme të javës së 28-të të Kategorisë Superiore, Shkumbini-Dinamo dhe Elbasani-Partizani, përfunduan në barazim. Për më tëpër si në fushën e Peqinit, ashtu edhe në “Ruzhdi Bizhuta” në 180 minuta lojë të përbashkët 8 mijë shikuesit e stadiumeve nuk shijuan asnjë gol, për të lënë të paprekur diferencën prej dy pikësh midis dy kryesueseve të Superligës. Edhe dy sfidat e mbijetësës Kastrioti-Teuta dhe Flamurtari-Besëlidhja përfunduan në barazim 0-0.
Përkundrazi, ultrasit bardheblu në “Selman Stërmasi”, shijuan spektaklin e jashtëzakonshëm që shfaqi Tirana, në atë fitore të thellë 5-1, për të larë shpagimin e humbjes 4-1 në “Loro Boriçi”. Një Super-Duro me “tripletën” e tij (një penallti), por trajneri Sulejman Mema, duhet t’i falet xhevairit Jahmir Hyka, fantazistit të ri, i cili vazhdon progresin e tij mbresëlënës. Tirana e Vllaznia i kanë të gjitha gjasat të takohen në finalen e Kupës së Shqipërisë, para faktin se kanë fituar thellë ndeshjet e para ndaj kundërshtarëve respektivë Elbasani (3-0) dhe Dinamo (4-0). Por, nëse Vllaznia e trajnerit malazias, Dervish Haxhiosmanoviç, do të jetë ajo që u shfaq në kryeqytet, atëherë 23-herë kampionët e Shqipërisë, edhe pse nuk do të mbrojnë titullin, do të ngrejnë trofeun e 14-të të Kupës së Shqipërisë. Për t’i hedhur një sy të shpejtë kronikës së lojës, Tirana shënoi shumë shpejt me anë të Daniel Xhafaj (6’), falë parakombinimit midis Klod Duros e Mir Hykës. Shtylla e goditur nga Xhevair Sukaj (sulmuesi i Vllaznisë siluroi edhe një tjetër në të dytën) gjeti të papregatitur golashënuesin më të mirë të kampionatit, Vioresin Sinanin (dy ndeshje pa gol). Pjesa e dytë, e tëra në agresivitetin bardheblu. Me një “copy-paste’ të dyshes së Kombëtares shqiptare, Hyka-Duro, për t’i dhënë mundësinë këtij të fundit të dëshmojë se është lojtari më i mirë i këtij sezoni. Tre gola të ish-lojtarit të Arminia Bielefeldit: 53’,73 dhe 78’ (11-metërsh), e për të shkuar në kuotën e 15 golave, një më pak se kroati i Dinamos, Pero Pejiç (16) dhe tre më pak se ish-shoku i tij i skuadrës, Vioresin Sinani (19). Firmën e tij në listën e golashënuesëve e hodhi edhe Florenc Arapi (84’), duke realizuar edhe golin e tij të katërt sezonal. Fundi i lojës pati kohë ëdhe për golin e nderit për Vllaznisë, kur Xhevair Sukaj, shënoi në minutën e 89-të. Goli i tetë i tij sezonal.
Kjo ishte fitorja e rëndësishme e Tiranës, e 13-ta sezonale, ashtu siç ishte humbja e tetë e Vllaznisë në këtë sezon. Në ballafaqimin historik, fitorja 5-1 e çoi në 69-të numrin e fitoreve të bardhebluve në 149 ndeshje me kuqeblutë (47 fitore, 33 barazime).
Ilir Meta bën radiokronistin
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, iu rikthye për pak çaste 18 viteve më parë, kur bënte, atëherë student, radikronistin sportiv. Ish-kryeministri shqiptar ishte ne Peqin për të ndjekur nga afër ndeshjen Shkumbini-Dinamo (0-0”. Duke folur për Radio “Sport”, Meta tha se ndihej i emocionuar, teksa i uroi fitoren skuadrës peqinase, që sipas tij, po luante më mirë.
Kategoria Superiore
Java 28
E shtunë, 19 prill 2008:
Shkumbini - Dinamo 0-0
Elbasani - Partizani 0-0
Tirana - Vllaznia 5-1
Besa - Skënderbeu 1-0
Flamurtari - Besëlidhja 0-0
Kastrioti - Teuta 0-0
Renditja
Dinamo 55
Partizani 53
Besa 47
Tirana 46
Elbasani 44
Vllaznia 42
Shkumbini 38
Flamurtari 36
Teuta 30
Kastrioti 29
Beswlidhja 28
Skwnderbeu 11
21 Prill 2008