E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si vret ky vrer...



Carlos FUENTES

Xhelozia vret dashurinë, por jo dëshirën.
Ky është ndëshkimi i vërtetë i pasonit të tradhtuar.
E urren gruan që e prishi paktin e dashurisë, porse vazhdon ta dëshirosh, sepse tradhtia që kreu ishte prova e pasionit të saj.
Xhelozia varet nga fakti nëse një dashuri nuk përfundon me shpërfillje.
E dashura që na braktis, duhet të ketë mençurinë të na shajë, të na poshtërojë, të na sulmojë egërsisht, që mos ta harrojmë të nënshtruar. Që të vazhdojmë ta duam me këtë emër pervers të vullnetit erotik, që quhet xhelozi.
Norman Mailer-i thotë se xhelozia është një galeri portretesh, ku xhelozi është kujdestari i muzeut.
Unë e ndiej se xhelozia është si një jetë brenda jetës sonë.
Mund t’i hipim avionit, të kthehemi në qytetin tonë apo në një qytet të huaj, të thërrasim miqtë dhe gjer të falim armiqtë, por gjatë gjithë kohës jemi duke jetuar një tjetër jetë, edhe kur ndodhet brenda nesh, me ligjet e saj të veta.
Kjo jetë brenda jetës sonë është xhelozia dhe shfaqet fizikisht. Siç thotë fjala e urtë meksikane, na gurgullon barku.
Një baticë e egër vreri që fryhet, ngjitet e zbret nga zemra dhe derdhet rropullive gjer te seksi i ngrirë, i kotë, që është kthyer në një të plagosur lufte. Të vjen t’i varësh një medalje penisit të gjorë. Dhe, më pas, një kurorë funebër.
Porse batica e xhelozisë nuk kremton asgjë dhe nuk ndalet për shumë kohë në asnjë pjesë të trupit. Lëviz brenda tij si një lëng helmues dhe qëllimi i tij nuk është ta shkatërrojë trupin, porse ta rrethojë dhe ta shtrydhë, që lëngjet e tij më të liga të hipin në kokë dhe të ngjiten të jeshilta e të ashpra si luspa gjarpri në gjuhë, në frymë dhe në vështrimin tonë...
Xhelozia na bën ta ndiejmë veten të përjashtuar nga jeta, sikur të kish vdekur një qenie e dashur... vetëm se dhembjen e vdekjes mund ta shfaqim.
Përkundrazi, dhembjen e xhelozisë duhet ta fshehim, të errët dhe helmuese, që të shmangim keqardhjen apo talljen. Xhelozia e shfaqur na bën gazin e botës. Është sikur të kthehesh në adoleshencë, në këtë moshë mjerane, kur çdo gjë që bëjmë publikisht – të folurit, të ecurit, të vështruarit – mund të na kthejë në objekt talljeje.
Adoleshenca dhe xhelozia na ndajnë nga jeta, na pengojnë të jetojmë.

Përktheu Mira Meksi

21 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›