E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur është e frikshme heshtja



E çfarë vlere ka jeta, kur ka mbaruar qëllimi? Ne jemi si ato krijesat ujore, të cilat vështrojnë nga toka e ajri dhe vrasin mendjen se si të mbijetojnë në këtë mjet të panjohur. Uji ku ne jetojmë është koha. Ai mjeti i panjohur, që ne kundrojmë përtej kohës, është hapësira. Dhe ajri i ri që na duhet për të marrë frymë në këtë habitat të ri, është heshtja. Heshtja është e frikshme vetëm për ata që janë të shtrënguar të flasin, ata që flasin me pahir.

William BURROUHGS

1.
Ndërgjegjësimi i njeriut këputet përherë nga copëza të faktorëve rastësorë.
Faktorë të tillë i sheh gjithmonë në jetë, sa herë vështron nga dritarja apo shëtit në rrugë. Unë përpiqem ta bëj të hapur, të dukshme këtë, duke i marrë fjalët e duke bërë montazh me to. Kjo është teoria ime e artit.
Arti e ndërgjegjëson njeriun për atë që di dhe për atë që ai nuk e di që e di, d.m.th. për faktet aktuale të perceptimit. Kur Cezanne-i ekspozoi për herë të parë tablotë, njerëzit nuk e kuptuan fillimisht që aty ishte një mollë, një dardhë, të para nga njëfarë këndi. Ata u nxehën aq shumë, sa filluan t’i sulmonin tablotë me çadra. Sot edhe fëmijët e kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë. Në të njëjtën mënyrë sesi Joyce-i i bëri të ndërgjegjshëm njerëzit për përroin e tyre të ndërgjegjes, në një nivel, atë nënvokal, pasi ndërgjegja është shumë më e ndërlikuar se kaq. Sot ne nuk e mendojmë më Joyce-in si të palexueshëm.
Kur njerëzit flasin për qartësi në shkrim, zakonisht nënkuptojnë një ngjarje, vazhdimësi, fillim, mes dhe fund, pjesëmarrje në një sekuencë “logjike”.
Por njerëzit nuk mendojnë në sekuencë logjike.
Çdo shkrimtar që shpreson t’i afrohet asaj që ndodh aktualisht në mendjen dhe trupin e personazheve të tij, nuk mund të vetëkufizohet në një strukturë të tillë arbitrare si sekuenca logjike. Joyce-in e akuzonin si të palexueshëm, ndërkohë që ai paraqiste vetëm një nivel të ngjarjeve cerebrale: ligjërimin e ndërgjegjshëm nënvokal.
Unë mendoj se mund të krijohen ngjarje shumëplanëshe dhe personazhe shumëplanëshe, që lexuesi mund t’i kuptojë me të gjithë qenien e tij organike.

2.
Njeriu e ka shitur shpirtin në këmbim të kohës, gjuhës, veglave, armëve dhe mbizotërimit. Dhe për t’u siguruar që ai nuk del nga rreshti, këta pushtonjës mbajnë gati një garnizon uzurpues në hemisferën jombizotëruese të trurit të tij.
Ideja ime si shkrimtar i gjithëditur në një zbrazëti, vakuum të pakohë është... Pra, mendoj se e vetmja gjë për të cilën ia vlen të përpiqesh në të shkruar, është pavdekësia. Por pavdekësia në hapësirë dhe jo në kohë.
Njerëzit janë në gjendjen e evolucionit të ndërprerë, të ndaluar.
E vetmja gjë që do ta bashkonte planetin, është një program i përbashkët hapësinor. Kështu, toka bëhet një stacion hapësinor dhe lufta menjëherë përjashtohet, hiqet qafe si e papërshtatshme. Lumturia është nënprodukt i funksionit. Stacioni hapësinor planetar do t’u japë të gjithë pjesëmarrësve mundësinë për të funksionuar.
Ata që kërkojnë lumturi për lumturi, kërkojnë fitore pa ndeshje.
Ky është defekti në të gjitha utopitë.
Ashtu si vetë individi, edhe shoqëria e përbërë nga individët është një antifakt i ndërtuar për një qëllim të caktuar.
E çfarë vlere ka jeta, kur ka mbaruar qëllimi?
Ne jemi si ato krijesat ujore, të cilat vështrojnë nga toka e ajri dhe vrasin mendjen se si të mbijetojnë në këtë mjet të panjohur. Uji ku ne jetojmë është koha. Ai mjeti i panjohur, që ne kundrojmë përtej kohës, është hapësira. Dhe ajri i ri që na duhet për të marrë frymë në këtë habitat të ri, është heshtja.
Heshtja është e frikshme vetëm për ata që janë të shtrënguar të flasin, ata që flasin me pahir.

3.
Për të udhëtuar në hapësirë, na duhet t’i lëmë pas të gjitha mbeturinat verbale: ligjërimin e Zotit, të priftit, të mëmësisë, të familjes, të dashurisë, ligjërimin e partisë e të vendit. Na duhet të mësojmë të ekzistojmë pa fé, pa vend, pa aleatë. Na duhet të mësojmë t’i shohim gjërat para syve pa koncepte të paravendosura, pa i parë ato të mirëqena e a priori. Tranzicioni nga koha në hapësirë është një zhvendosje rrënjësore, ashtu si tranzicioni evolucionar nga uji në tokë. Pavdekësia është diçka, për të cilën njeriut i duhet të luftojë.
Plaku i maleve, Hasan i Sabbah, zbuloi se pavdekësia është e mundur në hapësirë dhe kjo është ajo që quhet Tokat Perëndimore, që s’ka të bëjë fare me qytetërimin tonë Perëndimor, por Tokat e Librit Egjiptian të të Vdekurve. Tokat Perëndimore ekzistojnë si vend i vërtetë. Ne e ndërtuam vetë me duart tona dhe me trurin tonë. E kemi paguar me gjak dhe me jetët tona. Është e jona dhe do të shkojmë ta marrim.
Për këtë unë bëj montazh, pres fjalët e përthyej lëndën, fjalët e të tjerëve, vë në kontrapunkt komandat e kontrollit.

4.
Ëndrrat janë ajo hallka lidhëse e destinacionit tonë biologjik dhe shpirtëror drejt hapësirës. Nëse na e heqin këtë hallkë, ne vdesim. Nëse do ta vrasësh një njeri apo një komb, prija ëndrrat në mes dhe ia arrite qëllimit... Revolucioni Industrial, me mbipopullimin që shkaktoi dhe me theksin që vë mbi sasinë e jo mbi cilësinë,
u ka lënë në dispozicion uzurpatorëve parazitarë një seri me trupa pritës budallenj, fanatikë e pa sens kritik.
Rregulli i shumicës (maxhorancës) u vlen atyre, sepse shumica mund të manipulohet gjithmonë.

5.
Dhe çfarë ha makina e parasë, makina financiare, për të dhjerë mandej? Ajo ha rininë, spontanitetin, jetën, të bukurën e mbi të gjitha, kreativitetin.
Ajo ha cilësinë për të dhjerë sasi.

Përktheu Idlir Azizi

21 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›