Besa: “Bekuar qofshin penalltitë”
Besa e nisi me shumë mendjemadhësi takimin kundër Skënderbeut (1-0), duke hedhur në fushë një formacion të dorës së dytë, me mungesa të mëdha të titullarësh. Golin e vetëm të takimit e realizoi Bledar Mancaku (78’) nga pika e bardhë. Për sulmuesin durrsak të Besës, kjo ishte edhe penalltia e tretë që ai realizon në dy javët e fundit, po të kemi parasysh edhe dy të shndërruar në gol në fitoren 2-1 ndaj Tiranës. Fitorja me korçarët i siguruan sërish formacionit Berati-Haxhiaj vendin e tretë.
Për Skënderbeun humbja me Besën ishte e 23-ta në 28 javë dhe e 46-historike me kavajasit në 99 ndeshje.
Sfida e goleadorëve: Duro - Sinani 4 - 3
Ndeshja Tirana-Vllaznia kishte edhe një garë speciale midis dy prej golashënuesëve më të mirë të dy ekipeve: Klodian Duros së Tiranës e Vioresin Sinani të Vllaznisë. Në tre ballafaqimet e këtij sezoni, ku dy skuadrat ndanë nga një fitore dhe një barazim (0-0), Klodian Duro arriti të shënojë në portën e Grimës në 180 minuta 4 gola: 1 gol në “Loro Boriçi” në takimin e humbur të Tiranës 4-1 dhe 3 gola në “Selman Stërmasi” në takimin e fituar 5-1. Nga ana e tij, Sinani realizoi vetëm në Shkodër: 3 gola të tij në fitoren 4-1 të trajnerit Mirel Josa kundër Astrit Hafizit, që të dy të shkarkuar disa javë më pas. Gjithsesi gara për “Këpucën e artë” tashmë nuk shihet si një betejë midis Sinanit e Pejiç, por edhe Klodian Duros.
21 Prill 2008