Semina nuk u beson syve: “Golin, familjes”
Mbrojtësi Klodian Semina shënoi golin e vetëm për ekipin e tij, Belasitca në ndeshjen e humbur në transfertë me Slavian e Sofjes (3-1), ku aktivizohet ish-sulmuesi i Partizanit, Enco Malindi,.
“Ku ishte goli im parë në Bullgari, por edhe në një kampionat të huaj. Dedikimet për të janë të shumta, por më speciali, i përket familjes sime”, - tha ish-lojtari i Vllaznisë, për “Albania” në linjë telefonike nga Bullgaria, pak orë pas përfundimit të ndeshjes. Semina shënoi golin që shkurtoi diferencën në minutën e 50-të. Një karton i verdhë, nuk mundi të prishë mbrëmjen e tij. Të shënosh gol në Bullgari, nga një lojtar, i cili pak javë më parë kaloi një moment të vështirë, është shumë. Sfida Slavia-Belasitca kishte edhe aromë shqiptare në kryeqytetin bullgar, pasi të dyja ekipet kishin nga një lojtar. “U takova me Malindin para ndeshjes dhe pas saj. Më përgëzoi”, - thotë me një zë kumbues 20-vjeçari. Malindi (mban në fanellë numrin 99) luajti si zëvendësues, teksa hyri nëlojë në minutën e 62-të, në vend të Petkov, i cili realizoi edhe golin e parë për Slavian.
“Urime nga trajneri për golin? Sigurisht. Por, me shokët e ekipit festuam më shumë”, - shprehet gjithë sinqeritet. Edhe menaxheri i lojtarit, Rudi Vata, (na siguroi edhe numrin e lojtarit) u shpreh me entuziazëm për lojtarin e tij. “E besoja se do të zinte shumë shpejt një vend titullari, por që të shënonte në pak ndeshje edhe gol në Bullgari, më duket ende e pabesueshme, pasi ai është një mbrojtës”.
21 Prill 2008