Zinku dhe tretësira kripore në hundë zvogëlojnë simptomat e ftohjes
Marrja e tabletave të zinkut brenda 24 orëve nga shfaqja e simptomave të ftohjes, zvogëlon kohëzgjatjen dhe intensitetin e simptomave. Gjithashtu, një efekt të rëndësishëm për të luftuar simptomat e ftohjes ka edhe vitamina C. Shkencëtarët nga Universiteti i Mjekësisë Wayne në Detroit, kanë studiuar efektin e tabletave të acetatit të zinkut në mjekimin e ftohjes te 50 vullnetarë, të cilët kanë pasur simptoma të ngjashme me gripin. Pjesëmarrësit në studim kanë marrë nga një tabletë, e cila përmbante 13.3 mg zink, ose placebo çdo dy ose tre orë gjatë ditës. Kohëzgjatja mesatare e simptomave të ftohjes ishte katër ditë te grupi i cili kishte marrë zink në krahasim me ata të cilët kishin marrë placebo, ku simptomat kishin zgjatur deri në shtatë ditë. Tek personat të cilët kishin marrë zink, simptomat e ftohjes ishin ndërprerë te 56 për qind e pjesëmarrësve pas vetëm katër ditësh, ndërsa te grupi tjetër kishin vazhduar edhe më tutje simptomat. Burimet kryesore të zinkut janë mishi i kuq dhe i organeve të brendshme, pastaj bizelet, arrat, lajthitë, bajamet, ushqimet me prejardhje detare, drithërat etj.
Tretësira kripore
Pastrimi i hundëve me tretësirë kripe disa herë në ditë, mund të parandalojë simptomat e ftohjes tek fëmijët, bëjnë të ditur disa studime të fundit. Tretësira me ujë të kripur nuk e shëron ftohjen, por sipas studimeve të fundit, fëmijët që e shfrytëzojnë kanë tri avantazhe ndaj fëmijëve që nuk e shfrytëzojnë tretësirën kripore: Simptoma më pak të shprehura të ftohjes; Përdorim më të paktë të barnave; Më pak mungesa në shkollë. Studimet e fundit janë zhvilluar në Republikën Çeke, ku janë hulumtuar 400 fëmijë të moshës 6-10 vjeç. Këto analiza kanë treguar se pastrimi nasal me tretësirë kripore ka qenë mirë i toleruar nga fëmijët dhe ka treguar rezultate mjaft pozitive.
Sëmundja
Ftohja është sëmundja më e shpeshtë për shkak të cilës fëmijët dërgohen te mjeku. Mesatarisht gjatë vitit fëmijët ftohen mes 6-8 herë. Sipas mjekëve, numri më i madh i ftohjeve shkaktohen nga viruset të quajtura rinoviruse (në greqishten e vjetër, rino do të thotë hundë). Ekzistojnë më shumë se 100 lloje të rinoviruseve me afinitet ndaj mukozës së hundës, të cilët mund të iniciojnë reaksion imunologjik që manifestohet si dhembje fyti, kokëdhembje dhe pengesë në frymëmarrjen përmes hundës. Si momente predisponuese janë ajri i thatë dhe duhani (pirja aktive dhe pasive e duhanit). Përkundrejt besimeve të përhapura se do të ftoheni nëse nuk visheni mirë, nëse flini apo rrini në rrymë ere, ose dilni jashtë me flokë të lagura, kjo nuk është e vërtetuar.
Simptomat dhe shenjat e ftohjes
Së pari, shfaqet ndjenjë gërvishtjeje në fyt dhe rrjedhje hundësh, ose hundë të zëna dhe teshtitje. Përveç kësaj, fëmijët mund të ankohen për dhembje fyti, kollitje, kokëdhembje, temperaturë mesatarisht të lartë, plogështi, dhembje muskujsh dhe humbje oreksi. Sekretimi nga hundët fillimisht është si ujë, pastaj trashet dhe bëhet i verdhë ose i gjelbër. Ftohja është ngjitëse në 2-4 ditët e para, pasi shfaqen simptomat. Fëmija juaj mund të sëmuret gjatë këtyre ditëve, sepse do të thith pjesëza të virusit që përhapen në ajër përmes teshtitjes dhe kollitjes të fëmijëve tjerë, ose me kontakt direkt. Fëmija juaj do të sëmuret nëse e prek gojën ose hundën, pasi që paraprakisht ka prekur ndonjë sipërfaqe të kontaminuar me rinoviruse.
Zakonisht simptomat shfaqen 2-3 ditë pas ekspozimit ndaj burimit të infeksionit. Fëmija juaj më ngjitës është 3-4 ditët e para pas shfaqjes së simptomave, por mund të jetë ngjitës edhe deri më tre javë. Zakonisht sëmundja kalon për një javë (edhe pse mund të zgjas deri më dy javë).
Parandalimi
Që të pengohet ftohja, ose përhapja e saj duhet keni kujdes dhe të ndiqni këshillat e mëposhtme. Fëmijët duhet të mbahen larg nga njerëz të sëmurë dhe që pinë duhan. Pjesëzat e virusit mund të udhëtojnë deri më 3.7 metra nëpër ajër kur dikush teshtin ose kollitet. Madje, edhe pirja pasive e duhanit mund të kontribuojë që fëmija juaj të sëmuret. Lani duart shpesh dhe mirë sidomos pasi t’i fshini hundët e fëmijës tuaj. Kur fëmija kollitet ose teshtin, le ta mbajë dorën te goja. Mos shfrytëzoni peshqirë të njëjtë, ose enë për ushqim me atë që është ai ftohur. Secili le të pijë vetëm nga gota e tij, asnjëherë nuk e dini se kush do sëmuret dhe ndoshta e përhap virusin. Mos shfrytëzoni shami hundësh të huaja.
Trajtimi
Nuk ka barëra specifike për ftohjen, shërohen simptomat, siç janë dhembja e muskujve, kokëdhembja dhe temperatura. Mund të jepen preparate të bazuara në acetaminofenë ose ibuprofen duke i respektuar rekomandimet për dozimin sipas moshës dhe peshës të dhëna nga prodhuesi. Aspirinë gjatë një infeksioni viral nuk duhet t’i jepet asnjëherë fëmijës më të vogël se 12-vjeç, dhe duhet të evitohet edhe te fëmijët nën 19-vjeç. Në të kundërtën, zmadhohet rreziku për sindromin e Rejit, gjendje e rrallë por e rrezikshme që mund të jetë vdekjeprurëse. Mund të jepen barëra që e zvogëlojnë kongjestionin (barëra dekongjestive) dhe antihistaminikë, me anë të të cilëve lehtësohet frymëmarrja, por nuk ka dëshmi që kjo ndikon në të vërtetë. Ndonjëherë këto barëra (barërat antikongjestive) mund të shkaktojnë halucinacione, shqetësim dhe çrregullim të punës të zemrës te foshnjat dhe prandaj nuk jepen te fëmijë nën 2-vjeç. Në vend tyre, në hundë mund të vendosen pika të njelmëta, e pastaj hunda të fryhet, ose te foshnja të aspirohet me pompë (zvogëlohet kongjestioni).
Ajri në sipërfaqen ku rri fëmija duhet të jetë me lagështi. Në lëkurën nën hundë, ku për shkak të sekretimit shpesh lëkura infektohet duhet lyhet me pomadë. Te fëmija më i madh (mbi 3-vjeç) mund të jepen bonbone freskuese që të zvogëlohet dhembja e fytit. Për zbutjen e dhembjeve ndihmon dhe një banjë e ngrohtë, ose kompresa të ngrohta. Avulli nga dushi në banjë ndihmon që të lehtësohet frymëmarrja. Ekziston një traditë më e vjetër se 800 vjet që kur të ftohemi të konsumojmë supë pule të ngrohtë. Supa e pulës e përmban aminoacidin cisteinë, i cili ndikon në hollimin e mukusit dhe kjo mund të ndihmojë në zvogëlimin e kongjestionit në hundë. Në lidhje me ushqimin, zakonisht fëmijët kur janë të sëmurë refuzojnë të hanë. Nuk duhet ta detyroni fëmijën të hajë, më kryesore është të pijë shumë lëngje si ujë dhe lëngje frutash, që të kompensohet humbja për shkak të temperaturës së lartë dhe prodhimit të mukusit. Evitoni pije me kafeinë si koka kola, që shkaktojnë urinim të forcuar dhe e zmadhojnë rrezikun për dehidrim. Mjeku juaj nuk do të mund ta caktojë për cilin virus specifik bëhet fjalë, por do ta kontrollojë fytin dhe veshët dhe eventualisht do të bëjë kulturë nga materiali i marrë nga fyti nëse dyshon se infeksioni është i shkaktuar nga diçka tjetër.
Dërgojeni fëmijën te mjeku nëse: Pas tre ditësh simptomat keqësohen në vend që të përmirësohen, mund të jetë në pyetje angjinë streptokoksike, sinusit, pneumoni ose bronkit.
Nëse simptomat zgjasin më tepër se një javë dhe shfaqen çdo herë në të njëjtën periudhë gjatë vitit, ose çdo herë kur ekziston ekspozim në polen, pluhur, kafshë ose diçka tjetër, fëmija juaj ndoshta është alergjikë. Nëse fëmija kur është i ftohur ka një frymëmarrje të vështirësuar, ndoshta ka astmë. Nëse duket i sëmurë rëndë, nuk ha ushqim dhe nuk pi lëngje, dhembja e fytit dhe e kokës zmadhohet, nuk mund të gëlltisë, fëmija është letargjik. Nëse ankohet për dhembje në kraharor dhe në bark, gjëndrat e fytit i ka të ënjtura ose ka temperaturë të lartë (mbi 39.3ºC).
Përgatiti: Jonida Tashi
Të rejat nga shkenca
Boronicat forcojnë memorien
Një studim i ri ka treguar se boronicat, sikurse produktet e tjera ushqimore të cilat kanë me shumicë substanca fitokimike, zvogëlojnë humbjen e kujtesës, e cila është e lidhur me plakjen. Studimi është realizuar te minjtë, të cilët janë ndarë në tri grupe: minjtë me moshë më të re, ato me moshë të vjetër dhe minjtë të cilët me anë të ushqimit kanë marrë ekstrakt të boronicës. Pas 12 javësh, eksperimentet kanë treguar gjeturi shumë më të madhe dhe aftësi të të mbajturit mend nga grupi i minjve me moshë të re. Përveç tyre, minjtë me moshë të vjetër, të cilët kanë marrë ekstrakt të boronicës me ushqim, kanë treguar rezultate shumë më të mira në këto eksperimente në krahasim me minjtë pleq, të cilët nuk kishin marrë ekstrakt të boronicës. Supozohet se për këtë efekt të boronicës merita i takon sasisë së madhe e flavonoideve të cilët i përmbajnë ato, gjerësisht flavonolit dhe antocianit.
21 Prill 2008