Kukësi fiton me Butrintin dhe mbetet në ndjekje të Luftëtarit kryesues

Faza e dytë kategorisë së parë ka nisur jo e plotë, për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Takimet Ada-Burreli, Gramozi-Besa, dhe Kukësi-Butrinti nuk u luajtën, pasi fushat pritëse ishin të mbuluara nga bora. Nga këto tre ndeshje të shtyra mësohet se takimi Kukësi-Butrinti do të zhvillohet të dielën në Laç në orën 13:00. Gjithsesi, Luftëtari e ka nisur si pretendent fazën e dytë, pasi ka fituar 2-1 në Vlorë. Të parët kanë kaluar në avantazh vlonjatët me anë të Cerovës, por gjirokastritët kanë përmbysur me Rraboshtën dhe Mersinin. Elbasani ka bërë detyrën në shtëpi duke fituar 3-1 me Skraparin. Lushjna dhe Besëlidhja me pretendime për të kapur kreun kanë marrë nga një barazim 0-0, respektivisht lushnjarët në Mamurras dhe lezhjanët në Himarë. Gramshi ka fituar 3-0 ndaj Ilirisë ku dy golat e parë u shënuan nga pika e bardhë e penalltisë.
Kukësi-Butrinti duhej të luhej të shtunën në stadiumin Zeqir Ymeri të Kukësit, por për shkak të borës së madhe që kishte rënë kjo sfidë u shty për të dielën. Takimi nuk u zhvillua në Kukës se situate mbetej e njëjtë, por dueli i dy të ngjiturave nga kategoria e dytë u zhvendos në Laç. Takimi ka përfunduar me fitoren minimale të Kukësit me gol të sulmuesit Romeo Hamzai. Me këtë tripikësh kuksianët mbeten në vend të dytë duke e ndjekur hap pas hapi Luftëtarin. Të dy ekipet kanë nga një ndeshje më pak, e cila priet të luhet në mesjavë në Gjirokastër.
Java e 16-të, Kategoria e Parë
ELBASANI SKRAPARI 3-1
HIMARA BESËLIDHJA 0-0
VLORA LUFTËTARI 1-2
MAMURRASI LUSHNJA 0-0
GRAMSHI ILIRIA 3-0
KUKËSI BUTRINTI 1-0
ADA BURRELI (e shtyrë)
GRAMOZI BESA (e shtyrë)