E Diel, 1 Nëntor 2026

Barça, 37 milionë euro për Fabregas

Barcelona synon të bëjë një tjetër blerje të madhe. Sipas tabloidit britanik, "Daily Star", klubi katalan synon të rimarrë talentin e Arsenalit, Çesk Fabregas, i cili u largua nga Spanja drejt kampionatit anglez kur ishte vetëm 15 vjeç. Largimi i mesfushorit ishte shoqëruar me pakënaqësi mes tifozëve "blaugrana", të cilët duket se ende nuk e kanë falur për zgjedhjen që Fabregas bëri. Megjithatë, rikthimi i tij në "Kamp Nou" mund të shërbejë për ta hedhur pas shpine atë që ndodhi e për të shkruar një histori të re. Drejtuesit e Barçës e cilësojnë 21-vjeçarin si objektivin kryesor në merkaton e ardhshme. Gjatë mbledhjes së zhvilluar në fillim të javës, ata vendosën që t‘i paraqesin klubit anglez ofertën zyrtare për Fabregas: shifra për blerjen e lojtarit është afro 37 milionë euro (diçka më shumë se 30 milionë sterlina). Megjithatë, kjo shumë mund të mos mjaftojë për të bindur "topçinjtë" që të shesin lojtarin më të rëndësishëm të skuadrës. Në fakt, trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, vazhdon të theksojë se synon ta mbajë mesfushorin deri në përfundim të kontratës (e cila skadon në vitin 2014). Por, nëse "paraqitet një ofertë e pa rezistueshme për t‘u refuzuar", klubi mund të vendosë ta shesë dhe në këtë rast tekniku francez duhet të dorëzohet përpara vullnetit të drejtuesve. Me fjalë të tjera, një histori e ngjashme me atë të Aleksandër Hleb, që fillimisht konsiderohej i pashitshëm, ndërsa më pas u transferua te Barcelona për afro 15 milionë euro.

Për të nxitur interesimin e skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola, kanë shërbyer edhe deklaratat e vetë Fabregas. Gjatë muajit të kaluar, duke folur për një radio spanjolle, lojtari deklaroi se ishte i lumtur tek Arsenali, por një ditë ëndërronte të rikthehej te katalanët. Fjalët u nënkuptuan si një dëshirë e mesfushorit, që kthimi në shtëpi të realizohej në fund të këtij sezoni. "Për drejtuesit e klubit, vendimi i Fabregas për të luajtur në Angli tashmë është një histori e harruar", tregonte një burim anonim për "Daily Star". "Barcelona mund të shfrytëzojë edhe aspektin emocional për ta bindur që të kthehet në Spanjë. Natyrisht, në arritjen e marrëveshjes do të kenë shumë rëndësi edhe paratë. Do të nevojitet një shifër mjaft e lartë për ta blerë, por mesfushori mbetet objektivi kryesor i klubit katalan". Kjo duket arsyeja përse drejtori sportiv, Çiki Begirishtajn e ka garantuar trajnerin Guardiola se klubi do të paguajë çfarëdo çmimi për të rimarrë lojtarin.

Buskets - Megjithatë, afrimi i një talenti të ri (Fabregas), mund të shoqërohet me largimin e një tjetër ylli në rritje. Bëhet fjalë për mesfushorin Serxho Buskets, i cili nuk ka pranuar të rinovojë kontratën me kushtet e ofruara nga Barcelona. Pasi takoi drejtuesit e klubit, menaxheri i 20-vjeçarit doli në përfundimin se rroga e lojtarit do të varej nga gjëra që ishin jashtë kontrollit të tij. Momentalisht, Buskets ka kontratë me ekipin e të rinjve, me vlerë 30 mijë euro. Në kontratën e ofruar, Barça i siguronte lojtarit rrogë fikse 500 mijë euro në sezon dhe 500 mijë euro të tjera, nëse do të aktivizohej në të paktën 60 për qind të ndeshjeve. Edhe pse marrëveshja nuk u pranua, klubi dhe lojtari kanë shprehur besimin se "bashkëjetesa" do të vazhdojë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›