Barça-Inter, sfida mes kolosëve
Metamorfoza e qytetit të futbollit: 90 minuta për të kaluar nga ferri në parajsë. Asnjë stadium nuk është më i populluar se sa “Kamp Nou”, në këtë sezon ka një mesatare mbi 80000 shikues. Dhe sonte do të provojnë t’ia marrin frymën Interit të Murinjos. Do të jetë inkoshienca e talenteve të Barçës, kundër skuadrës shumëkombëshe të Interit. Përballja e fundit para finales së Madridit mes dy “mbretëreshave” të Europës luhet mes krahasimit të statistikave të organikës së tyre dhe mes shifrave të financës së futbollit. Liga e Serisë A: dy modele përballë. Barcelona dhe Inter kanë shpenzime prej kolosësh në axhendën e futbollit ndërkombëtar. Vlera e klubeve sipas revistës amerikane “Forbes” është e jashtëzakonshme: Barcelona vlen te rreth 750 milionë euro, ndërsa Inter 310. Markat e tyre janë veçanërisht tërheqëse, sidomos ajo e Barcelonës: 266 milionë. Inter është mes 10 të parëve në Europë me 100 milionë. Nga '92 deri në 2009 Barcelona arkëton nga pjesëmarrja në Champions 226 milionë euro. Interi paguan mallkimin europian: vetëm 156 milionë. Barça është e para në Europë për numrin e futbollistëve në skuadrën e parë, që vijnë nga ekipet zinxhir, ndërsa Inter formon një skuadër solide duke grumbulluar lojtarë shumëkombësh. Të dyja skuadrat kryesojnë kampionatet e tyre dhe janë pretendentet kryesore për tituj. Të gjithë mezi e presin këtë ndeshje. Shtypi spanjoll, “El Mundo Deportivo” dhe “Sport”, mbështetet te deklaratat luftarake të mbrojtësit katalanas, Gerard Pike, për të karikuar publikun në prag të supersfidës historike. "Passeremo!" (“Do të kualifikohemi!”) është titulli që hap faqen e parë të “Sport”. “El Mundo Deportivo” tregohet më e përmbajtshme dhe bën një analizë e cila shtrihet në 15 faqe. Fjalët e thëna në konferencën për shtyp të hënën nga Pike janë tema themelore: “Do të urrejnë zanatin e futbollistit”, titullon “Sport”, që më pas citon urimin e mbrojtësit, “Pres Kamp Noun, më të mirët e historisë”, titull ky që shtrihet në faqet 2-3 të “El Mundo Deportivo”. Leximi vazhdon me dy pjesë të tjera nga atmosfera: në Kamp Nou nuk do të ketë asnjë vend bosh (edhe sepse UEFA ka rezervuar për vete jo më pak se 2500 bileta), ndërsa Barça po mendon të ndryshojë itinerarin e autobusit të lojtarëve, sepse parashikon një rekord të motorëve dhe biçikletave, ndaj do të duhet një rrugë më e gjerë. Publikun e karikojnë me një foto të dy mungesave të mëdha, të të dëmtuarit Injesta dhe të të skualifikuarit Pujol, në tribunë me bluzën e Barcelonës: “Ata e kanë veshur”, është titulli. Për sa u përket bluzave, interesante është edhe fotoja e Xhanluka Baziles: basketbollisti italian i Barçës është tifoz i madh i Interit dhe ka pozuar me të dyja bluzat. Sipas një sondazhi, tifozët vënë baste për një 3-0 në favor të Barçës. Rezultati i dytë më i kuotuar është 4-1, pastaj 2-0 e 4-0. Në dyshim për Guardiolën është Abidal. Ndërsa ironizojnë me lajmin për Shnajderin, kur kujtojnë se kur drejtonte çelsin, synoi të mashtronte Barçën, duke njoftuar dëmtimin e Damien Daf, i cili më pas zbriti rregullisht mes titullarëve. Holandezi dje është stërvitur me shokët e tjerë të skuadrës dhe ka shumë mundësi të jetë sot në fushë. Barcelonës i duhet të shënojë të paktën dy gola dhe të mos pësojë asnjë. Në të kundërt, i duhen 3 gola më shumë se kundërshtari për fitoren. Katalanasit arrijnë te goli me shumë lojtarë, plot 16, por sonte pritet shumë nga Mesi, i cili nuk realizon që prej 4 ndeshjesh. Për kualifikimin është i bindur edhe vetë Laporta: “Shënon Eto’o, por kualifikohemi ne”.
#