E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça-Real, sfida që nuk ka fund

Katalanasit fitojnë, kundërpërgjigjen madrilenët. Lufta vazhdon deri në ekstrem
Nëse Barcelona fiton, edhe Reali i Madridit patjetër që duhet të fitojë. Janë këto dy skuadra, të cilat duket se kanë ndërmend të na dhurojnë një duel të pafund, deri në fund të këtij sezoni në kampionatin spanjoll.
Blaugranët shënojnë fitore minimale, por tepër të rëndësishme si mysafirë të Sporting Gijonit. Barcelona dominoi në tërë ndeshjen. Golin e vetëm të kësaj ndeshje, që e kishte edhe shijen e fitores, e shënoi i riu Pedro Rodriguez në minutën e 30. Me këtë fitore Barcelona mbetet në vendin e parë me 52 pikë, 5 më shumë se Real Madridi që triumfoi 3-1 në “Riazor” kundër Deportivo La Korunjës. Katalanasit kanë ruajtur kështu kreun e tabelës me fitoren ndaj Sporting Gijonit dhe Pep Guardiolës i pëlqeu ajo çfarë pa në fushën e lojës. “Ishte një fitore e mirë, në një stadium ku pak skuadra kanë fituar. Kjo fitore është e merituar. Nuk bëmë lojë të mirë në fund të takimit, gjë që nuk la të bëhemi më të mirë. Jemi të kënaqur me lojën tonë në mbrojtje, pasi nuk lamë shumë hapësira si ndaj Tenerifes apo Vijarealit. Gjithçka mund të ndodhte nga ato dy goditjet e lira të Sportingut në fund”, deklaroi Guardiola pas ndeshjes për “Marca”. Ndeshja e radhës e Barcelonës është me Getafen në shtëpi.
Ndërkohë që rivali i tyre i përjetshëm, Reali i Madridit, fitoi ndeshjen e parë në “Riazor” që nga viti 1991. Madrilenët, edhe pse kishin shumë mungesa, i kundërpërgjigjen Barçës me një fitore 3-1 të firmosur nga Granero dhe dopjetë nga Benzema. Golin e vetëm për Derpotivon e shënoi Riki në fund të ndeshjes me penallti. Të thuash të vërtetë, Reali që zbriti në “Riazor” ishte shumë i cunguar: mungonte Ronaldo (i skualifikuar), mungonin të dëmtuarit Garay, Gago, Lasana Diarra, Mahamadu Diarra, Van der Vaart e Higuain, në pankinë ishin ulur katër futbollistë nga ekipi i të rinjve. Në sulm, në krah të Benzemasë, kishte hapësirë për Raul, sërish titullar pas 3 muajsh. Manuel Pelegrini ishte tejet i kënaqur me performancën e të besuarve të tij. Duke folur për “Marca” pas ndeshjes, ai tha: “Ky ekip që luajti në këtë ndeshje do të jetë i njëjti që do të luajë edhe ndaj Espanjolit. Ne provuam të fitojmë që nga fillimi, edhe pse nuk ishte rezultati final. Ne e dinim rëndësinë e ndeshjes dhe e njihnim forcën e Deportivos, që është një rival i vështirë. Jam i kënaqur, pasi kjo fushë ka qenë për ne tradicionalisht e vështirë. Luajtëm mirë, sidomos në pjesën e parë. Edhe pse ishim nën presion nga ajo penallti në fund, unë pata besimin se skuadra ime do të fitonte. Liga do të jetë e hapur për aq sa nuk do të ketë më teori matematike. Ky ekip do të luftojë deri në fund”, deklaroi trajneri i Realit, Manuel Pelegrini.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›