E Diel, 1 Nëntor 2026

Apolonia humbet orientimin, Sinani shtyn Besën përpara

Apolonia-Besa 0-2

E diela e dy ndeshjeve të fundit të javës së 19 ka dhuruar surpriza në futbollin e Kategorisë Superiore. Një fakt interesant është se në të dyja takimet e luajtura kanë fituar dy skuadrat udhëtuese, Besa në Fier dhe Laçi në Shkodër. Apolonia, nën drejtimin e Hasan Likës, duket se e ka humbur plotësisht orientimin. Tashmë duket plotësisht e ndryshuar, nëse e krahasojmë me atë skuadrën surprizë të fazës së parë, e cila shpesh rivalizonte me kryesuesit për një vend në majën e renditjes. Ndërkohë që duhet theksuar se Besa e Shpëtim Duros është rikthyer të bëjë paraqitje të shkëlqyera dhe të jetë rezultative në manovrat e saj, si brenda ashtu edhe në transfertë. Në Fier është luajtur një ndeshje shumë luftarake mes të dyja skuadrave, ku kavajasit janë treguar më racionalë dhe më efikasë para portës. Goli i avantazhit u shënua nga Vioresin Sinani (goli i parë me bluzën e Besës) me një gjuajtje nga jashtë zonës, por që u ndihmua edhe nga gabimi i portierit të fierakëve. Po ashtu Sinani dha edhe një asist për Daniel Xhafën, që ka vulosur fitoren 2-0 të kavajasve në “Loni Papuçiu”. Në këtë mënyrë, Besa nuk i ndahet Dinamos kryesuese, në pritje të riluajtjes së ndeshjes me Flamurtarin, më 3 shkurt. Tashmë kavajasit, në luftën për titull, duket se do të jenë rivalë të ashpër për blutë, që gjithsesi kanë një distancë qetësie nga ndjekësit më të afërt.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›