Cana: Do të bëjmë një mbyllje të mirë të sezonit
Sandërlend
Shqiptari flet mbi dëmtimet e shumta
Kapiteni i Sandërlendit, Lorik Cana, beson se “macet e zeza” do ta mbyllin sezonin në mënyrën më të mirë, nëse disa prej lojtarëve të tyre kryesorë do të rikthehen në formë. Pas një fillimi premtues, skuadra e Stiv Brus nuk ka fituar prej 9 ndeshjesh në Premier League dhe tani ndodhet 3 pikë larg zonës së ftohtë. Shkak për këtë mund të jenë bërë një numër i madh dëmtimesh i 10 lojtarëve titullarë në fazën e parë. Por Cana beson se kjo ka pasur peshën kryesore të rënies së skuadrës. “Dëmtimet e shumta që kemi pasur kanë qenë problem për ne gjatë këtyre dy muajve të fundit, tha dje Cana për ‘Sunday Sun’. Për një skuadër si ne, që po përpiqet të ndërtojë një ekip të mirë për të ardhmen, humbja e 9 apo 10 lojtarëve në një fazë është vërtet shumë e rëndë. Kemi pasur shumë të dëmtuar në mbrojtje dhe po ashtu na është dashur të bëjmë edhe mjaft ndryshime në mesfushë, për shkak të dëmtimeve. është e vështirë për trajnerin dhe skuadrën të luajë në të njëjtin nivel, nëse kemi kaq shumë mungesa”. Mesfushori shqiptar ka bërë edhe një krahasim me skuadrat e mëdha: “Edhe Arsenali, Man. Utd, çelsi, janë prekur nga dëmtimet dhe kanë humbur disa prej lojtarëve më të mirë, sqaron Cana. Imagjinoni sa e rëndë është për ne të humbasim kaq shumë lojtarë! Nëse e keni parë forcën tonë në 11 ndeshjet e para, unë mendoj se jemi një skuadër mjaft e mirë dhe do ta përfundojmë sezonin mes 10 të parëve. Nëse do të vazhdojnë të na mungojnë lojtarë të tjerë, do të jetë shumë e vështirë për ne të jemi në gjysmën e parë të tabelës”. Por Cana shton se dëmtimet nuk duhet të përdoren si justifikime. “Unë nuk mendoj se janë një justifikim, shton ai. Të gjithë e dinë që në futboll do të ketë të dëmtuar, por nëse shikon numrin e të dëmtuarve që kemi pasur, mund të vëreni se ky ka qenë për ne një problem i madh. Neve na kanë munguar më shumë se gjysma e lojtarëve tanë të rëndësishëm për më shumë se dy muaj”.
#