E Diel, 1 Nëntor 2026

Laçi shokon Vllazninë, nisin të bien kambanat

Shkodranët munden 1-2 në stadiumin “Loro Boriçi”
Vllaznia shokohet në shtëpi dhe për shkodranët fillojnë të bien fort kambanat e alarmit, të cilat paralajmërojnë se kjo skuadër po rrezikon seriozisht rënien nga Kategoria Superiore. Kriza e kuqebluve është rikonfirmuar edhe dje, kur në Loro Boriçi ata jo vetëm që nuk kanë mundur të fitojnë, por madje janë mundur nga Laçi. Ky i fundit e meritoi fitoren me plot gojën, pasi në fushën e lojës demonstroi një futboll të pëlqyeshëm, por edhe argëtues. Deri tani as emërimi i Edi Martinit në drejtimin e pankinës së Vllaznisë nuk po rezulton si një lëvizje fatsjellëse, pasi në dy takimet e para të 2010-s, shkodranët kanë koleksionuar dy humbje, gjë që i ka lënë ata në zonën e ftohtë dhe objektivi i ardhshëm duket se do të jetë pikërisht lufta për mbijetesë. Vllaznisë për këtë ndeshje i mungonin Belisha, Leci dhe Rajoviç me kartonë, ndërsa Laçi ishte i plotë. Pjesa e parë u dominua nga vendasit, por që nuk mundën të shënonin më shumë se një gol, me gjithë rastet që krijuan Nallbani, Alikaj, anglezi Feniks (shmangu portierin Llani dhe në një kënd të pjerrët godet vetëm rrjetën e jashtme të portës), Bala, Haxhibuliçi etj. Edhe miqtë nuk harrojnë të shikojnë drejt portës së Grimës dhe i afrohen shumë golit me Nimanin (19’), gjuajtja e të cilit përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule. Kuqeblutë krijojnë shumë volum loje, duke sulmuar vazhdimisht, ndërsa bardhezinjtë laçianë mbrohen me forca të shumta, duke sulmuar me anë të kundërsulmit, ku Nora dhe Nimani janë problemi më i madh për mbrojtjen e Vllaznisë. Në minutën e 36 do të vinte goli i avantazhit të përkohshëm të Vllaznisë. Një aksion i bukur nga e djathta, Shtubina futet në zonë, pason saktë për Balën, që nuk fal nga afër dhe shënon 1:0. Në pjesën e dytë në fushë është një Laç krejt ndryshe, tepër agresiv. Janë shkodranët ata që rrezikojnë të parët me Haxhibuliç dhe pak më vonë janë miqtë, që me pak fat mund të kishin shënuar me Norën. Por goli i laçianëve nuk do të vonojë. Disa gabime të pafalshme të shkodranëve, të ndikuara edhe nga sulmet e vazhdueshme të Laçit, përmbysin gjithçka: Në minutat e 67 dhe 76 gjirokastriti Nora do të shënonte dy herë në portën e Vllaznisë. Ishte pikërisht sulmuesi në fjalë, i cili mund të konsiderohet edhe si njeriu i ndeshjes për shkodranët, të cilët duket se kishin armik edhe terrenin mjaft të rënduar në stadiumin “Loro Boriçi”. Përpjekjet e Vllaznisë deri në fund janë veçse dëshpëruese, pasi rezultati do të mbetej i pandryshuar deri në fund. Por drejtuesit e klubit shkodran nuk kanë harruar të sulmojnë sërish gjyqtarët që, sipas tyre, janë fajtorët kryesorë për këtë humbje të dhimbshme të Vllaznisë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›