Besa kërkon hakmarrjen
Të mërkurën do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Ndeshja kryesore do të jetë ajo ndërmjet Lirisë dhe Besës, e cila do të zhvillohet në stadiumin ‘Përparim Thaçi’ në Pejë.
Prizrenasit synojnë ta kryejnë shumicën e punës qysh në ndeshjen e parë, për të shkuar në Pejë në lojën e kthimit më të qetë. Fituesit aktualë të kësaj kupe e synojnë edhe këtë vit finalen. Liria e kishte eliminuar Besën në gjysmëfinale në vitin 2007 dhe 2010, ndërsa një gjë të tillë synon ta bëjë edhe sivjet.
“Ne synojmë që në Prizren të shënojmë fitore, në mënyrë që në ndeshjen e kthimit të luajmë rehat. Objektiv i yni është që ta eliminojmë Besën për herë të tretë në katër sezonet e fundit nga gjysmëfinalja. Ne e kërkojmë finalen e Kupës”, tha për Express trajneri i Lirisë, Behajdin Gjinali.
Kurse pejanët kërkojnë hakmarrjen për dy eliminimet e fundit që pësuan nga fqinjët. Besa do të mundohet ta sigurojë së paku një barazim në duelin e parë ndaj prizrenasve, për ta pasur më pas më të lehtë që të kalojë në finale, pasi ndeshja e kthimit zhvillohet në stadiumin ‘Shahin Haxhiislami’ në Pejë.
“Nesër do t’i hyjmë kësaj ndeshjeje me optimizëm. Shkojmë në Prizren për të arritur rezultat pozitiv. Përpos humbjes, çdo rezultat tjetër do të ishte i favorshëm për ne. Jemi të motivuar dhe jemi optimistë se do të kualifikohemi në finale të Kupës”, theksoi trajneri i Besës, Valdet Shoshi.
Ekipi kuq e bardh do të luajë pa Shpëtim Zharën, i cili do të mungojë për shkak të kartonëve, derisa kthehet Fitim Haliti, i cili mungoi të dielën ndaj Vëllaznimit. Sfida tjetër do të jetë ajo ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës. Ndeshjet gjysmëfinale kanë sistem të dyfishtë, pra vajtje-ardhje.
Kupa e Kosovës – Gjysmëfinalja
E mërkurë
Liria – Besa 15:00
Gjilani – Prishtina15:00