Skeraj provohet në Djurgarden

Elitës së futbollit suedez (Allsvenskan) mund t’i shtohet edhe një futbollist kosovar. Bëhet fjalë për mbrojtësin Shqipron Skeraj, i cili pritet të provohet te njëra nga skuadrat më të njohura në Suedi, Djurgarden.
Sipas medieve suedeze, reprezentuesi i Kosovës ekipit suedez pritet t’i bashkohet sot (të mërkurën), derisa pritet të luajë në ndeshjen e ekipit të dytë të Djurgardenit, që do ta zhvillojë kundër Gif Sundsvallit.
Ish futbollisti i Lirisë, i Prishtinës dhe i Greuther Furthit gati që një vit është pa klub, që prej ndarjes me klubin gjerman TUS Koblenz verën e vitit të kaluar. Nëse 25 vjeçari i bind drejtuesit e Djurgardenit, atëherë numri i shqiptarëve në Allsvenskan pritet të rritet në 14.
Kohën e fundit elita e futbollit suedez ka qenë pistë për disa lojtarë kosovarë. Gjatë dimrit në ekipet suedeze janë transferuar: Liridon Leci, Alban Dragusha, Besnik Rrustemaj (Kalmar), Valdet Rama, Kushtrim Lushtaku (Orebro).