Barça, akuza "Don Florentinos": Ku i ka gjetur kaq shumë para?
Kaka, Kristiano Ronaldo dhe mjaft emra të tjerë në listën e dëshirave. Reali i ri "Galaktik" i Florentino Perez po krijohet, por nga Barcelona vazhdojnë kritikat dhe dyshimet rreth transferimeve me vlerë mbi 161 milionë euro. Rivalët historikë të klubit "merengue" kanë hapur polemikën e radhës për shifrat astronomike të shpenzuara në këtë periudhë krize. Gjatë një interviste për televizionin "RAC1", Ksavier Sala i Martin, punonjës i sektorit ekonomik në klubin katalan, ka ngritur dyshime të forta për operacionet multimilionere. "Perez ka deklaruar se dispononte 300 milionë euro për merkaton, por unë pyes veten nga vijnë gjithë këto para. Presidenti i Realit pretendon se shifrat e shpenzuara do të rikuperohen duke shitur fanella: ata duhet të shesin 30 milionë bluza, për të mbuluar shpenzimet. Kjo është e pamundur". Martin nuk ka besim te kjo hipotezë dhe ka paraqitur një teori të tijën: "Ndoshta këto para ia jep dikush, por Perez do të bënte mirë të shpjegonte se cili është ‘bamirësi‘. Si është e mundur që një klub të shpenzojë gjithë këto para në situatën politike dhe ekonomike ku ndodhet Spanja, e ku bankat nuk japin më kredi? Nëse paratë nuk janë të tijat, atëherë kemi të bëjmë me një spekulim imobilar".