E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançesteri në merkato: Tevez qëndron, vjen Benzema ose Ibra

Kanë mjaftuar vetëm pak orë që Mançester Junajtid ta harrojë Kristiano Ronaldon. Kampionët e Anglisë kanë filluar të planifikojë të ardhmen pa mesfushorin portugez, i cili do të luajë në kampionatin spanjoll. Për të ruajtur një grup konkurrues, Sër Aleks Ferguson do të plotësojë dëshirat e yjeve që mbeten në "Olld Traford", pavarësisht kostove financiare. Kjo edhe sepse arkat e klubit janë mbushur nga 94 milionë eurot e transferimit të Ronaldos te Reali i Madridit. Karlos Tevez është emri i parë në listën e trajnerit legjendar: Ferguson do të bëjë gjithçka për të mbajtur në skuadër argjentinasin. Edhe pse çmimi prej 35 milionë eurosh i pretenduar nga MSI (kompania që zotëron kartonin e lojtarit) cilësohej i ekzagjeruar, tashmë "Red Devils" janë të gatshëm të paguajnë. Por, vetëm Tevez nuk mjafton për të "ngopur" ish-kampionët e Evropës. Ata kërkojnë të përforcojnë sulmin, ku objektivat më të spikatur janë Karim Benzema dhe Zlatan Ibrahimoviç. Talenti francez i sulmit kushton dhe Lioni mund ta lejojë të largohet vetëm për 40-45 milionë euro. Ëndrra mbetet Ibrahimoviç, gjithsesi Barcelona ka filluar prej kohësh bisedimet. Dy alternativat e mbetura për Ferguson janë edhe Serxho Aguero dhe Fernando Torres.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›