E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barca e kenaqur pergjysme

Aventura e Barcelonës në këtë edicion të Champions League nisi me një fitore të vuajtur 3-2 përballë Spartak Moskva në Grupin G. Katalanët rrezikuan shumë gjatë kësaj ndeshje, pasi rusët kryesonin 2-1 në minutën e 59-të. Megjithatë, për të evituar humbjen e parë në 17 ndeshje europiane, mendoi Lionel Messi me dy gola të shënuar, ndërsa trajneri i Barçës, Tito Vilanova kërkoi nga skuadra që të mos i marrë ndeshjet lehtë.

“Mendoj se kjo fitore e vështirë na shërben, në mënyrë që të mos i nënvlerësojmë kundërshtarët, qofshin këta Spartak Moskva apo kushdo tjetër. Në futboll nuk ka ndeshje të lehta, për më tepër që kjo është Champions League. Por, fatmirësisht, Barça ka një grup me lojtarë që e dashurojnë futbollin dhe nuk ndihen të ngopur pavarësisht trofeve”.

Trajneri i ekipit rus, Unai Emery, kërkonte fitoren e parë në 13 ndeshje me Barcelonën, por edhe këtë radhë dështoi.

“Nuk jemi aspak të kënaqur. E kërkuam fitoren, pavarësisht se e kishim të qartë se kjo ishte një sfidë e vështirë. Megjithatë, jam i kënaqur nga skuadra, që provoi deri në fund të merrte rezultat. Pavarësisht humbjes, besojmë se në të ardhmen rezultatet do të jenë më të mira”.

Ndërkohë, kapiteni “blaugrana”, Xavi u shpreh i kënaqur me rezultatin.

“Spartak-u ka një skuadër shumë cilësore dhe këtë e treguan duke na vendosur në vështirësi. Ata janë të fortë fizikisht, mbrojtje solide dhe luajnë të rreshtuar mirë. Rusët na e komplikuan shumë ndeshjen, por treguam se mund ti fitojmë edhe këto sfida të vështira”.

Por, fitorja është festuar përgjysmë, pasi mbrojtësi Gerard Pique është dëmtuar. Ai i shtohet në infermieri kapitenit Puyol, ndërsa mendohet që të qëndrojë jashtë fushave për 2-3 javë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›