Statuja prej dylli e Mesit ne fushen e stadiumit Uembli
Mesi, Mesi dhe vetëm Mesi. Barcelona u falet këmbëve të tij, ndërsa në stadiumin legjendar “Uembli” menduan të ekspozonin për mediat dhe publikun statujën e tij prej dylli, pikërisht para nisjes së Ligës së Kampionëve për këtë sezon.
Statuja e muzeumit “Tussaud” u vendos pikërisht në fushën e atij stadiumi ku ylli argjentinas i Barcelonës shënoi golin e famshëm në finalen e vitit 2011, fituar 3-1 ndaj Mançester Junajtid, ndërsa edhe finalja e këtij edicioni do të jetë në ish-stadiumin perandorak britanik.
Jo vetëm kaq, por statuja prej dylli u pozicionua pikërisht në vendin ku u shënua goli i dytë i Barcelonës në atë finale. Kjo vepër arti vlerësohet në 150 000 stërlina britanike ose 242 mijë dollarë amerikanë dhe tashmë është vendosur në Muzeun “Tussaud”, përkrah yllit të Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo.
Më 24 shtator, muzeumi do ta nxjerë sërish statujën në një sallë, të quajtur Zona interaktive e sporteve, ku publiku do të ketë rast ta admirojë nga afër.
Mesi shënoi dy gola për Barçën në portën e Spartakut të Moskës në ndeshjen e parë të katalanasve në Championsin e sezonit 2012-2013, duke shpëtuar ekipin e tij nga një humbje e papritur në “Kamp Nou”.
Në moshën 25-vjeçare, superylli argjentinas ka shënuar 53 gola deri tani në këtë kompeticion, në 69 ndeshje, duke qenë në vendin e katërt të shënuesve për të gjitha kohët dhe tepër pranë Andrij Shevçenkos që ka shënuar 58 gola dhe Rud Van Nistelroit që ka shënuar 60.