E Diel, 1 Nëntor 2026

Barcelona, 27.7 milionë euro shpërblime për futbollistët

Një milion e dyqind mijë euro të futura nëpër xhepa dhe dyqindepesëdhjetë mijë euro të tjera të vendosura si premio për aktivitetin në Abu Dhabi. Kjo është shifra e shpërblimeve që secili futbollist i kontingjentit të Barcelonës ka përfituar gjatë vitit 2009, ku skuadra është shpallur fituese e Ligës së Kampioneve, kampionatit spanjoll, Kupës së Mbretit, Superkupës së Spanjës dhe Superkupës së Europës. Pas afro një muaji në Lindjen e Mesme, katalanët do të luajnë edhe në botërorin për klube, kupa e fundit e këtij viti dhe trofeu i vetëm që mungon në "Kamp Nou". Nëse do të triumfojë në aktivitetin kundër kampioneve të kontinenteve të ndryshme, Barcelona do të kapë shifrën e 32.7 milionë eurove të paguara në formë shpërblimesh brenda një sezoni. Fitoret historike (asnjë klub spanjoll nuk e ka realizuar "tripletën", për të mos folur më pas për gjashtë trofe brenda një viti) kanë bërë që "blaugranat" të paguajnë një faturë shumë të shtrenjtë financiare.

E përditshmja katalane "Sport" ka renditur listën e shpërblimeve të paguara nga Barcelona: futbollistët kanë përfituar 500 mijë euro për triumfin në Champions, 400 000 euro për La Ligan, 200 000 për Kupën e Mbretit, 100 000 për Superkupën Europiane dhe 50 000 për Superkupën e Spanjës. Për disa lojtarë, shpërblimet e vitit 2009 ishin më të larta sesa rroga vjetore që ata marrin sipas kontratave me klubin. Këtyre shifrave i shtohet edhe ora luksoze "Bulgari", me vlerë 30 000 euro, që drejtuesit e Barçës i shpërndanë ekipit për "tripletën": një seri e veçantë orësh, të cilat kishin të gdhendura tri trofetë më të rëndësishëm, Champions, La Ligan dhe Kupën e Mbretit. Sipas përllogaritjeve, deri më tani klubi ka shpenzuar plot 27.7 milionë euro në formë premiosh dhe është i gatshëm të "investojë" edhe 5 milionë euro të tjera në rast fitoreje në Abu Dhabi. Vlera e fundit është përcaktuar pas negociatave të Laportës dhe të tjerëve me kapitenët e Barçës, të udhëhequr nga Karles Pujol. Në të vërtetë klubi do të shpenzojë vetëm 400 000 euro, sepse fituesja e botërorit përfiton 4.6 milionë euro nga FIFA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›