E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maldini: Ramos mund të jetë pasardhësi im

Paolo Maldini vlerëson talentin e lojtarit të Realit të Madridit, Serxho Ramos. Edhe pse është vetëm një 23-vjeçar, mbrojtësi është njëri prej pikave të forta të Spanjës, kampione të Europës në fuqi. Ish-kapiteni i Milanit ka qenë gjithmonë idhulli i lojtarit "merengue" dhe e përditshmja iberike, "Marca", ka organizuar një takim ndërmjet tyre. Në Madrid nuk kanë munguar komplimentet e njërit prej emrave më të mëdhenj të Italisë. Maldini deklaroi: "Serxho ka gjithçka që i nevojitet për të qenë pasardhësi im". Kaq ka mjaftuar që gazetat ta përdornin këtë si titull të madh, ndërsa vlerësimi i ish-lojtarit të Milanit është shoqëruar edhe me disa "shigjetime" në editorialët e ndryshëm. Sipas ekspertëve spanjollë, nuk ka asnjë dyshim rreth të dhënave fizike të lojtarit të Realit, por ajo që ende nuk është arritur, është stili i ngjashëm i jetës me atë të ish-mbrojtësit italian. "Marca" shkruante: "Ramos duhet të ndjekë shembullin e Maldinit, nëse dëshiron të arrijë larg". Lojtari ende nuk po arrin të bëjë hopin cilësor që të gjithë presin: gabimet brenda dhe jashtë fushës janë të shumta, ashtu si edhe shpërqendrimet. Nuk kanë munguar as polemikat për pozicionin e tij në fushë, ku Serxho Ramos luan si mbrojtës qendre, por edhe në krah. Këshilla e fundit e Maldinit ishte: "Ti duhet të luash në qendër".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›