E Diel, 1 Nëntor 2026

Te Sandërlendi janë të qetë, Cana kthehet kundër Arsenalit

Lorik Cana do të kthehet si titullar te Sandërlendi, ndërkohë që aktivizimi i shqiptarit nga minuta e parë shihet si vendimi më i lehtë për trajnerin Stiv Brus për sfidën e fundjavës me Arsenalin. Lëvizja e parë e drejtuesit të stolit të "maceve të zeza" pas pushimit për ndeshjet ndërkombëtare, do të jetë pozicionimi i kapitenit në qendër të mesfushës. Cana nuk luajti në takimin e fundit kundër Totenhemit, për shkak të pezullimit njëjavor pas pesë kartonëve të verdhë të marrë në kampionat. 26-vjeçari i afruar në fillim të sezonit nga Olimpik Marseja është një prej lojtarëve të preferuar të Brus, i cili nuk heziton asnjëherë ta theksojë këtë. Tekniku tha: "Deri më tani Loriku ka konfirmuar gjithçka që prisja prej tij në momentin kur vendosa ta blej, madje edhe diçka më shumë. Ai është një futbollist i mirë, por shpesh njerëzit e harrojnë këtë fakt, pasi përqendrohen më shumë te ndërhyrjet e forta të Canës". Këtë javë, kuqeziu do të përballet me "topçinjtë" e Arsen Venger, që ishin një prej kandidateve kryesore për të marrë shërbimet e mesfushorit, duke e cilësuar pasardhësin e Patrik Vieirasë. Përveç Arsenalit, për Canën interesohej edhe Liverpuli i Rafa Benitez. Shqiptari shpreson të jetë sërish protagonist në "Stadiumin e Dritës", ashtu sikurse ndodhi në fitoren 1-0 përballë "Reds".

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›