E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtare, Braun bëhet Mercedes GP

Mercedes ka blerë pjesën më të madhe të aksioneve të skuadrës së sapo shpallur kampione të Formula 1, Braun GP. Kjo skuadër i fitoi të dy titujt botërorë në kampionatin e 2009-s. Lajmin e ka bërë të ditur Dieter Zeçe, numri 1 i shtëpisë së makinave në Shtutgard. Në sezonin e sapombyllur, Mercedes ka furnizuar me motorë skuadrën e drejtuar deri tani nga ish-drejtori i Ferrarit, Ros Braun. Por vendimi i fundit i lejon kompanisë gjermane të makinave të impenjohet personalisht, aq më tepër që skuadra e re do të ndryshojë edhe emrin, ajo do të quhet "Mercedes GP Team". Por shtëpia e makinave nga Shtutgardi megjithatë nuk do të heqë dorë nga MekLaren. Madje, në një komunikatë të Uoking, të dalë menjëherë më pas, bëhet e ditur se palët kanë rinovuar një seri marrëveshjesh për bashkëpunim të ndërsjellë, por, mbi të gjitha, që Mercedes do të vazhdojë të furnizojë me motorë të Formula 1 MekLarenin për të paktën edhe 6 sezone të tjerë, deri në sezonin e botërorit 2015.

Organigrama

Por, mes pronarëve nuk do të jetë vetëm Mercedes. Kompania gjermane do të ketë në zotërimin e saj vetëm 45% të aksioneve të skuadrës së re. Ndërsa 30% do t‘i ketë Aabar, fondi i investimeve nga Abu Dhabi. Kurse pjesën e mbetur prej 24.9% do të vazhdojnë t‘i kenë aksionistët aktualë. Fondi nga Emiratet e Bashkuara Arabe kishte blerë gjatë pranverës së kaluar 9.1% të kuotave të Mercedesit. Ros Braun, edhe kjo është tashmë zyrtare, do të vazhdojë të qëndrojë në postin e përgjegjësit operativ të skuadrës.

Pilotët

Norbert Haug, numri 1 i Mercedes Motorsport, ka deklaruar se ende do të duhet të përkufizohet situata relative në lidhje me pilotët e skuadrës. Rubens Barrikelo ka shkuar tashmë te skuadra Uilliams. Anglezi Xhenson Baton, kampioni i saposhpallur i botës, ende nuk ka gjetur një marrëveshje për kontratën e tij të re. Dhe tashmë mësohet se është në tratativa me MekLaren. Një nga dy vendet duket se tashmë i është rezervuar Niko Rosbergut, i cili ka shtetësi gjermane, gjë që është mirëpritur nga pronarët e rinj. Për të tjerat, në funksion të lëvizjeve të Baton, mund të jetë në lojë edhe emri i Kimi Raikonen.

Fitojnë të gjithë

"Është një situatë në të cilën fitojnë të gjithë". Ron Denis, presidenti i MekLaren, i ka komentuar kështu zhvillimet e fundit në lidhje me Mercedes. "Gjithnjë kam theksuar se, për të mbijetuar dhe për të arritur suksese në Formula 1 të shekullit XXI, një skuadër duhet të bëhet diçka më shumë se thjesht një ekip", ka thënë Denis, duke iu referuar zgjerimit të "aktiviteteve tregtare". MekLaren mund të vazhdojë të besojë te mbështetja e Mercedes, i cili, të paktën deri në fund të 2015-s dhe ndoshta edhe më shumë, do t‘i furnizojë me motorë. "Vitet e ardhshme, ka shtuar ai, do të jenë emocionuese për MekLaren, dëshirojmë të bëhet edhe më e fortë se nga pikëpamja teknologjike dhe ekonomike".

Ndryshimet

Nga sezoni i ardhshëm, skuderia do të ndryshojë emër, por Ros Braun do të qëndrojë përgjegjës. Megjithatë, bashkëpunimi me MekLaren për furnizimin me motorë, është rinovuar deri në fundin e 2015-s. Piloti i vetëm për momentin i Mercedes GP është Norbert Haug, ndërsa tjetri do të zgjidhet mes Xhenson Baton dhe Kimi Raikonen

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›