E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani, "Lojtari më i Mirë" në "Bentegodi"

Erjon Bogdani kryeson anketën për "Lojtarin më të Mirë" në ndeshjet që Kievo ka luajtur gjatë këtij sezoni në "Bentegodi". Sulmuesi shqiptar është rikthyer në ditët e tij më të mira dhe përveçse mban peshën e sulmit në radhët e veronezëve, ai ka gjetur vazhdimësinë në fushën e lojës. Pas gjashtë ndeshjeve që Kievo ka luajtur në shtëpi, Bogdani renditet i pari në konkursin e organizuar nga e përmuajshmja "Il Commercio Veronese" në bashkëpunim me klubin verdheblu. Ndjekësi më i afërt i kuqeziut është kapiteni Serxho Pelisier, fituesi i tri edicioneve të fundit, ndërsa më pas vijnë Jepes dhe Sorrentino. Ndërkohë, sulmuesi po vazhdon rikuperimin pas operacionit në nofull. Aktivizimi i tij për takimin e së dielës në Xhenoa kundër Sampdorias vazhdon të jetë në dyshim. Pasi ka zhvilluar stërvitje të diferencuar, Bogdani po pret ardhjen e maskës mbrojtëse në fytyrë, në mënyrë që të punojë me intensitet edhe më të lartë dhe të jetë në gjendje të përballojë kontaktet në fushë. Nëse "Er-Bomber" nuk rehabilitohet në kohë, si titullar përkrah Pelisier do të luajë Granoke.

A. M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›