"Spekulimet për ndërhyrje në formacion, s‘dua t‘i komentoj"
Gjashtëmbëdhjetë orë më parë, një ndër figurat e njohura të Kombëtares sonë të viteve ‘90, ish-kapiteni Rudi Vata, kishte lëshuar një deklaratë bombastike në lidhje me faktin se, trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, nuk ndërton vetë formacionin që zbret në fushë, por pranon ndërhyrjet e zyrtarëve të lartë të FSHF-së. Gazetarët e kanë ngacmuar në këtë pikë teknikun kroat, i cili nuk ka preferuar të bëjë shumë komente, duke dashur të shmangë çdo polemikën me Vatën. Gjithsesi, ai e ka hedhur poshtë faktin e supozuar se "formacionin ia bëjnë të tjerët". "Mbi të gjitha unë e respektoj të kaluarën e futbollit shqiptar, fillon përgjigjen e tij, tekniku i Kombëtares kuqezi. Futbolli në Shqipëri nuk ka lindur kur erdha unë. Do të isha i sëmurë po të thosha këtë. Edhe paraardhësit e mi, Hani, Bariç etj., janë munduar të bëjnë më të mirën me Shqipërinë. Unë nuk e di çfarë ka ndodhur në të shkuarën, por ne duhet të respektojmë historinë. Por mund të pohoj se kam idetë e mia për lojtarët që duhet të aktivizoj. Nëse dikush nuk është dakord me atë që unë bëj, le të vijë të më bëjë sugjerimet e duhura, sepse komentet nga jashtë mund të bëhen shumë kollaj. Do t‘i pranoja me kënaqësi. Nuk kam çfarë t‘i komentoj më shumë kësaj çështjeje", ka përfunduar Kuzhe, i cili ka rinovuar kontratën me FSHF deri në fund të eliminatoreve të Euro 2012.
A. Manallari
A. Manallari