Barcelona, 45 milionë euro për përforcime

Barcelona do të ketë në dispozicion 45 milionë euro për angazhimin e përforcimeve të reja gjatë verës, pasi nënkryetari i çështjeve ekonomike, Javier Faus zbuloi buxhetin e gjigantit katalan.
Kampioni i Evropës mund të ngritë fonde të tjera nga shitja e futbollistëve që spekulohet të jenë Bojan, Jeffren dhe Maxwell, ndërsa Faus shpjegoi detajet e gjendjes financiare në Nou Camp.
“Barcelona ka 45 milionë euro për përforcime së bashku me paratë që mund të fitohen nga shitjet e futbollistëve gjatë kësaj periudhe”, tha Faus për ueb faqen zyrtare të klubit.
“Kur ne flasim për shitje, do të konsiderojmë vetëm ato që janë në dobi të klubit. Superkupa e Spanjës (kundër Real Madridit në gusht) do të sjellë rreth 3 milionë euro të tjera”, shtoi ai. Faus po ashtu njoftoi për reduktimin e humbjeve për rreth 21 milionë euro dhe theksoi se shpenzimet kanë rënë nga 495 milionë euro në 441 milionë euro.
“Jemi të lumtur me rezultatet. Kjo është mënyra më e mirë e investimeve të mundshme, sepse Barcelona kurrë më parë nuk ka qenë e njohur si markë sikur tani”, përfundoi ai.