Rrezikojnë jetën për futboll
Rrallëherë do të shihni një ndeshje të futbollit që ndërpritet për të ateruar një helikopter ushtarak. Por, në diçka të tillë janë mësuar futbollistet e guximshme të Afganistanit.
Reprezentacioni i femrave të Afganistanit është e vetmja skuadër e futbollit të femrave në Afganistan.
Edhe pse autoritetet lokale u kanë ndaluar të shfrytëzojnë stadiumin kryesor në Kabul, edhe pse e vënë jetën nën rrezik, ato nuk ndalen në luftën për të drejtat e tyre në shoqërinë konservative, ndër të tjera, femrat nuk e kanë vendin në sport.
Khalida Popal, kapitenja e reprezentacionit të femrave të Afganistanit, shpeshherë merr porosi në telefon prej atyre që e akuzojnë se është duke e turpëruar shoqërinë.
Mirëpo, ajo vazhdon të bëjë atë që e do, edhe pse ka marrë thirrje të ndërpresë marrjen me futboll për shkak të sigurisë së saj. Presioni e ka çuar në tentim për vetëvrasje, shkruan CNN.
“E dua futbollin, e futbolli për mua është gjithçka. Kur mendoj për futbollin i harroj të gjitha të tjerat. Shumë jam e lumtur kur shikoj ekipin tim. Kur familja më tha ‘jo, duhet të ndalesh së luajturi futboll’, kam tentuar vetëvrasje”, tha Popal.
Por, skuadra ballafaqohet me një problem të madh, nuk ka ku të stërvitet. Deri para disa muajve e kishin të lejuar të luajnë në stadiumin kryesor në Kabul.
Mirëpo, gjërat ndryshuan dhe atyre iu lejua të stërviten në beton rreth stadiumit e më pas iu kufizua edhe kjo e drejtë.
NATO ishte e ‘mëshirshme’ dhe ua lejoi një pjesë të fushës në stadiumin kryesor në Kabul, por problemi është se fusha e tyre është njëkohësisht edhe pistë për aterim.
Përveç faktit që merren me sport, afganët e konservuar insistojnë se femrat nuk duhet të udhëtojnë jashtë vendit pa përcjellje.
Duke qenë i vetmi ekip i femrave në vend, reprezentacioni i femrave të Afganistanit kanë vetëm pjesëtaret e NATO-s si kundërshtare me të cilat mund t’i masin forcat, shkruan CNN.
“Gjatë bisedave që kam pasur me këto vajza kam kuptuar se çka do të thotë për to të jenë në gjendje që të jenë të lira dhe të luajnë sportin të cilin e duan”, tha një pjesëtare e NATO-s.
Disa vajza janë rrahur për pjesëmarrjen e tyre në ekip, disa të tjera janë kërcënuar me vdekje, ndërsa ka edhe prej atyre që janë larguar nga vendi.
Futbolli është burim i përditshëm i gëzimit në mbarë botën. Por, në Afganistan, ku gjendja shumë shpesh di të shpërthejë në dhunë, është çështje e jetës dhe vdekjes.