E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benzema, më i mirë se Ronaldo

Nga Express më 10 qershor 2011 në ora 11:01

Ish portieri i Real Madridit, Jerzy Dudek ka lavdëruar Karim Benzeman duke thënë se francezi është futbollist më i mirë se legjenda braziliane Ronaldo. Ronaldo, i cili zhvilloi ndeshjen e tij të fundit në miqësoren e Brazilit me Rumaninë, të cilën e fituan 1-0 të mërkurën, konsiderohet si futbollisti më i mirë i gjeneratës së tij.

Por, Dudek e krahasoi ish bashkëlojtarin e tij Benzema me tre herë futbollistin më të mirë të vitit në botë. Në fakt, ai beson se francezi është futbollist më i mirë.

“Kur e kam parë për herë të parë në stërvitje, isha i impresionuar”, tha Dudek gjatë një interviste për France Football.

“I kam thënë të gjithëve se Reali ka transferuar një futbollist të jashtëzakonshëm. Për mua ai është më i mirë se Ronaldo, braziliani. Karim ka kualitete të shkëlqyeshme, është i shpejtë, i lëvizshëm dhe ka sy për gol”, shtoi Dudek.

Trajneri i Realit, Jose Mourinho, shpesh ka favorizuar Higuainin para Benzemas, i cili më pas kaloi një periudhë si titullar pas lëndimit të argjentinasit.

I pyetur nëse favorizimi i Mourinhos për Higuainin ka ngecur avancimin e Benzemas, portieri polak tha: “Mourinho ka personalitet të fuqishëm, por është edhe psikolog i mirë. Ai asnjëherë nuk e izolon një futbollist. Sezoni i tij i parë në Madrid ka qenë i vështirë, por ai punon për të ardhmen e Realit”, përfundoi Dudek i cili pas përfundimit të sezonit njoftoi për pensionimin e tij nga futbolli, por spekulohet se do t’i bashkohet Seattle Sounders për edicionin e ri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›