E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona; Këshillim në projektin urban të Tiranës

Projektet për planifikimin urban, hapësirat e gjelbra dhe ato publike të Tiranës do të kenë këshillimin e vazhdueshëm të Bashkisë së Barcelonës. Marrëveshja paraprake u arrit mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama, dhe kryetarit të Bashkisë së Barcelonës, z. Jordi Hereu, gjatë një takimi që kishin dje në qytetin e dytë më të madh në Spanjë.

Kryebashkiaku Rama tha gjatë takimit se në Barcelonë “gjetëm një mirëkuptim të jashtëzakonshëm për kërkesat tona, për një ndihmë konkrete në mënyrë të veçantë në jetësimin e planit të ri rregullues, që javët në vijim do të jetë gati dhe do të marrë dhe vulën e publikut kryeqytetas për t'u kthyer në instrumentin e një zhvillimi të mëtejshëm të kryeqytetit, edhe me ndihmën e urbanistëve të jashtëzakonshëm dhe me famë evropiane dhe botërore të Barcelonës”. Ndërkohë, kryebashkiaku i Barcelonës deklaroi se “ndarja e përvojave mes qyteteve, mendoj se mund të garantojë përmirësim në fushën e planifikimit urban, në fushën e përmirësimit të hapësirave publike, në fushën e rritjes ekonomike. Për sa u përket aspekteve kulturore dhe sociale, mendoj se Tirana dhe Barcelona mund dhe duhet të bashkëpunojnë, pasi në fund të fundit, jemi qytete nga dy vende të cilat i bashkon Mesdheu”. Kryebashkiaku i Barcelonës pranoi ftesën e homologut të Tiranës për të vizituar Shqipërinë në një kohë të shkurtër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›