E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelen programe master në Shkodër, Gjirokastër, Elbasan dhe Korçë

Këshilli i Ministrave vendosi dje çeljen e programeve master për mësues të shkollave të mesme në katër universitete të rretheve. Në këtë mënyrë, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, mësuesit e shkollave të mesme do të duhet të kenë përfunduar Master të Nivelit të Parë që zgjat një vit, në mënyrë që të kenë mundësi të japin mësim në shkollat e mesme. Në total, janë hapur 16 programe masteri në universitetet e Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit dhe Shkodrës.

Master për t’u bërë mësues

Risia e këtij vendimi, sipas specialistëve, është vendosja në jetë e programit të paralajmëruar nga Ministria e Arsimit për kualifikimin e mësuesve në shkollat e mesme. Në këtë mënyrë, ata që kanë përfunduar masterin e posaçëm për ciklin e lartë të arsimit bazë, do të zëvendësojnë në një periudhë graduale kohore mësuesit që nuk kanë kualifikimin përkatës.

Në të njëjtën kohë, ata që kanë përfunduar një shkollë të lartë për një degë me Kartën e Bolonjës, nuk mund të japin mësim në shkollat e mesme, pasi nuk do të kenë përparësi në procesin e përzgjedhjes. Sakaq, ekzistojnë projekte edhe për kualifikimin e të gjithë asistentë-pedagogëve që kanë vetëm një diplomë të shkollës së lartë.

Programet

Programet e çelura dje janë në total 16 dhe janë të shpërndara gjashtë në Universitetin e Elbasanit dhe në atë të Shkodrës dhe nga dy në universitetet e Korçës dhe të Gjirokastrës. Në Gjirokastër do të çelen master për Gjuhë-Letërsi dhe Histori-Gjeografi, ndërsa në Korçë për Gjuhë-Letërsi dhe Gjuhë angleze.

Në dy universitetet e tjera do të çelen programe master në Gjuhë-Letërsi, Biologji-Kimi, Gjuhë gjermane dhe Gjuhë angleze. Ndërkohë, mastera për frëngjisht dhe italisht do të ketë vetëm Universiteti i Elbasanit dhe për Matematikë-fizikë dhe Matematikë-Informatikë vetëm Universiteti i Shkodrës.

Programet e studimeve master i nivelit të parë, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit. Këto programe studimi të fillojnë veprimtarinë mësimore gjatë këtij viti akademik.

Programet master

Gjirokastër

a) “Gjuhë-Letërsi” MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

b) “Histori-Gjeografi” MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

Korçë

a) “Gjuhë-Letërsi”MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

b) “Gjuhë angleze”MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

Elbasan

a) “Gjuhë-Letërsi”MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

b) “Biologji-Kimi”MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

c) “Gjuhë italiane”MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

ç) “Gjuhë gjermane”MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

d) “Gjuhë frënge”MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

dh) “Gjuhë angleze”MNP, në mësuesi për ciklin e lartë të arsimit bazë

Shkodër

a) “Gjuhë - Letërsi”MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

b) “Matematikë - fizikë”MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

c) “Matematikë - informatikë”MNP, në mësuesi për ciklin e lartë të arsimit bazë

ç) “Biologji - kimi”MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

d) “Gjuhë angleze”MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

dh) “Gjuhë gjermane”MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›