E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizata Ndërkombëtare e Punës; Shtatë në dhjetë të rinj punojnë në të zezë

Shtatë në 10 të rinj punojnë në të zezë sipas Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Punëtorët e rinj në moshë janë më të prekurit nga ekonomia informale në të gjithë sektorët dhe në të gjithë vendin. Ky është përfundimi i parë në programin "Puna e denjë për Shqipërinë 2008-2010", i cili u prezantua dje nga Ministria e Punës dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO). Ekonomia informale përbën 1 të tretën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PPB) të Shqipërisë, e për këtë arsye ministri i Punës, Kosta Barka, tha se “në bashkëpunim me ILO-n, do të punohet me përkushtim për zbatimin e programit "Punë e denjë për Shqipërinë 2008-2010", i cili jep ndihmesë shumë të madhe në rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, reduktimin e ekonomisë informale, përmirësimin e sistemit të mbrojtjes shoqërore, faktorë këta të rëndësishëm në reformimin tonë të përgjithshëm". Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), bën me dije se rreth 55% e punëtorëve në sektorin jobujqësor punojnë në të zezë. Sipas raportit, në sektorin e bujqësisë rezulton se pjesa më e madhe janë të vetëpunësuar, gjysma e të cilëve janë të varfër.

Programi Shqiptar për Punën e Denjë 2008-2010 ka si prioritet rritjen e kapacitetit të institucioneve shtetërore dhe partnerëve socialë, me qëllim përmirësimin e administrimit së tregut të punës, mbështetja e masave të marra nga qeveria për reduktimin e ekonomisë informate dhe përmirësimin e mbulimit të sistemit të mbrojtjes sociale. Në zbatimin e programit, ILO do të japë një mbështetje aktive lidhur me politikat e një punësimi aktiv, me ndjeshmëri ndaj çështjeve gjinore, do të ndihmojë në forcimin e institucioneve, zhvillimin e politikave dhe rritjen e kapaciteteve të aktorëve trepalësh, në administrimin e sigurimeve shoqërore etj.

Gjithashtu, në këtë kuadër, ILO do të ndihmojë në hartimin e një ligji të ri mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›